IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Rahovec për dyshim të keqpërdorimit të detyrës

IPK arr*eston një zyrtar policor në Vërmicë për marrje ryshfeti dhe një shtetas të Serbisë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, derisa në lidhje me rastin është arrestuar edhe një qytetar, shtetas i Republikës së Serbisë, i dyshuar për veprën penale “dhënie ryshfeti”.

Sipas njoftimit të IPK-së, dyshohet se zyrtari policor, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në Stacionin e Policisë Kufitare në Vërmicë, për përfitim financiar i ka mundësuar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës një qytetari të Serbisë, ndonëse këtij të fundit paraprakisht i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.

IPK bën të ditur se pas pranimit të informatave fillestare për rastin, hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë nisur veprimet hetimore me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në terren, zyrtari policor është arrestuar dhe ndaj tij, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në lidhje me rastin, është arrestuar edhe qytetari – shtetas i Republikës së Serbisë, ndaj të cilit është iniciuar rast penal për veprën penale “dhënia e ryshfetit”, ndërsa edhe atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

IPK ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.