Ismajli i bindur: Luajmë vetëm për tre pikë, ia dalim me grup

Mbrojtësi Ardian Ismajli ishte futbollisti i zgjedhur nga trajneri Silvinjo për të dalë në konferencën për mediat para ndeshjes ndaj Gjeorgjisë. Futbollisti, i kthyer në një nga liderët e prapavijës kuqezi, tha se ekipi do vazhdonte të luante me të njëjtin plan.

“Natyrisht kemi ardhur këtu vetëm për tre pikë, udhë tjetër nuk ka. Sepse vetëm fitorja na mban në garë për vendin e parë, me përkushtim dhe me grupin e bashkuar besoj se nesër do të dalim me tre pikë nga ky stadium.

Kemi dy humbje në 2 ndeshjet e fundit, por kur shikon ndeshjet si kanë rrjedhur, besoj se me Gjeorgjinë nuk e kemi merituar humbjen. Por ajo është e kaluara, do shohim para. E thashë që vetëm fitorja na bën punë. Kemi ardhur për tre pikë dhe shpresoj që t’ia dalim se vetëm ato na mbajnë në garë për vendin e parë.

Kvara? Ne të gjithë e njohim për cilësinë që ka, aftësitë që ka, por ashtu si në ndeshjen e parë që ia dolëm ta ndalojmë, do ia dalim edhe nesër, sepse grupi, grupi, gjithmonë gurpi është ai që bën rezultatin e ndeshjen. Sidomos ne, mbrojtja, për ndalimin e aksioneve të kundërshtarëve.

Saba ka një vit që ka ardhur te Empoli nga Gjeorgjia, është një djalosh i talentuar, ka shumë aftësi fizike dhe teknike. Këtë vit kishte mundësinë të luante titullar dhe ka bërë jashtëzakonisht mirë, si gjithë ekipi dhe besoj e shpresoj që ai të vazhdojë me këtë ritëm dhe do të ketë një karrierë të madhe. Sa i përket Gjeorgjisë, e dimë kualitetin e tyre, ku janë pikat e forta. Trajneri me stafin kanë analizuar çdo aspekt dhe me punë e përkushtim, me një motivim shtesë nesër do ia arrijmë qëllimit.

Plani ynë është të futemi gjithmonë në ndeshje të bëjmë më të mirën si deri tani, në dy ndeshjet e fundit nuk kemi marrë rezultatet që donim por shpresojmë që nesër t’ia dalim. Gjeorgjia luan me kundërsulme, presin shumë më shumë topin e dytë dhe plani ynë është si gjithmonë deri tani, nuk ndryshon, do vazhdojmë me të njëjtën skemë dhe shpresoj që në fund t’ia dalim.

Si ka ardhur Gjeorgjia të luajë futboll te ne, ashtu edhe ne kemi ardhur këtu. Sa i përket fansave gjeorgjianë, ne kemi ardhur për të luajtur futboll, të bëjmë më të mirën. Jemi profesionistë dhe e kemi treguar gjithmonë”, tha Ismajli para mediave.