“Janë serioze dhe kanë për qëllim të…”, eksperti i sigurisë jep alarm: Ja çka tenton të bëjë Vuçiq dhe si duhet të veprojë Kosova

Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur shqetësime serioze për të ardhmen e afërt të botës, duke deklaruar se “ajo do të bëhet gjithnjë e më e vështirë”.

Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, bota po shkon drejt një konflikti të madh:

“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet – ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Po gërmojnë llogore dhe po e presin fillimin.”

Megjithëse nuk ofroi asnjë provë konkrete për këto pretendime, Vuçiq u zotua se Serbia do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mos u përfshirë në një luftë të mundshme.

“Deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili pos tjerash e përmendi luftën dhe situatën e rëndë të serbëve, i cili është duke tentuar që t’i viktimizojë serbët është një paralajmërim serioz i situatës së sigurisë, mund të themi se është një shpallje lufte që ai e ka bërë, apo mund të themi se është një deklarim i angazhimit që Serbia ka në lidhje me sigurinë në gadishullin ballkanik. I njëjti është munduar t’i viktimizojë serbët që është njëra nga komponentët që trajtohet në aspektin e sigurisë si parapërgatitet opinioni i caktuar për një zhvillim të caktuar dhe në rastin konkret ai është munduar që të tregojë detyrimet që ka Serbia për popullin serb dhe jashtë kufijve të saj duke konstatuar situatën e rëndë të tyre”, deklaron Elezi.

Image

Bedri Elezi

Sipas tij, ka shumë çështje që lidhen me deklaratën e presidentit të Serbisë.

“Gjithashtu edhe për faktin që Kosova është përballur me situatë jo të mirë, kemi pasur arrestime sa i përket spiunazhit, kemi pasur cnim të sigurisë ajrore duke fluturuar dron mbi Kosovë, kemi pasur veprime konkrete me të cilat KFOR-i, NATO, Bashkimi Evropian e SHBA e kanë konstatuar se situatë e sigurisë është e rëndë, kemi angazhime të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s që janë në përgatitje lufte, ka shumë çështje që lidhen me deklaratën e presidentit të Serbisë. Edhe vetë media serbe në Serbi ka nxjerrë raportim se kreu i grupit terrorist i cili ka kryer sulmin terrorist në Kosovë, Radojçiq ka arritur që të ketë një fond prej 10 mijë personave, persona që janë të përfshirë kështu në grupe kriminale, kur janë bërë rojë dhe zgjidhje e problemeve kriminale të presidentit Vuçiq”, shprehet eksperti.

“Në vitet ’90, Sllobodan Millosheviqi [ish-lideri jugosllav] e zgjodhi luftën gjenocidale si instrumentin e tij të fundit në pushtet. Ai kreu dhunë jonjerëzore në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe më pas në Kosovë – të gjitha të dokumentuara që bota t’i shohë. Përmes makinës së tij të propagandës, me Vuçiqin si shef të propagandës, ai ka nxitur urrejtje që ka çuar në vrasje sistematike, varreza masive, shkatërrim dhe izolimin më të thellë të Serbisë”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Sipas saj, Vuçiqi beson se mund të ringjallë formulën e njëjtë, por që historia ka qenë e qartë se ashtu siç ka dështuar Millosheviqi, e njëjta e pret Vuçiqin.

“Kosova, në anën tjetër, e ka zgjedhur paqen. Paqen, që do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka përfunduar Osmani.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, thotë se duhet hapa konkret jo deklarime nga ana e presidentes.

Ai përmend masa që duhet të ndërmerren.

“Rreziku që Vuçiq së fundmi të zhvendos vëmendjen e zhvillimeve të brendshme në zhvillimet që kanë të bëjnë me Gadishullin Ballkanik, janë serioze dhe konstatoj se këto paralajmërime duhet të trajtohen me kujdes nga institucionet e Kosovës. Presidentja e Kosovës, ka pasur një reagim me atë që ka mundur të konstatojë presidenti i Serbisë,por që në fakt Kosova nuk duhet të sillet vetëm me deklarata, sepse nuk janë shoqëri civile, presidentja e vendit duhet që nëse ka parë që veprimet e presidentit të Serbisë janë paralajmërime lufte, minimalisht duhet të takojë drejtorin e policisë së Kosovës, drejtorin e intelegjencës si dhe komandatin e KFOR-it në mënyrë që të trajtojë problemin. Apo më mirë, presidentja duhet të ftojë Këshillin e sigurisë së Kosovës që të analizojnë kërcënimin që ka bërë Vuçiq dhe të ndërmarrin masa për paralajmërimin lufte që ka bërë ai. Institucionet dhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës duhet të marrin me seriozitet deklarimet e Serbisë dhe të organizojnë takime të Këshillit të Sigurisë, takime me KFOR dhe të hartojnë plane konkrete që të parandaluar ndonjë veprim të Serbisë. Deklarimi i Vuçiqit është serioz dhe duhet të ndërmerren masat për një parandalim eventual për zhvillimin lufte që ka thënë ai”, përfundon Elezi.