Osmani: Kam lexuar raporte që sivjet Serbia ka tentuar të na destabilizojë – me aleatët i kemi parandaluar

Jemi bllokuar në rrugën e integrimit, s’po kërkojmë bamirësi, por respekt për punën e reformat

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka zhvilluar një intervistë duke ecur nëpër Berlin, me Gordon Repinski të Politicos.

Ajo në këtë intervistë u shpreh se Kosova ka parë vetëm rrugën e integrimit evropian, por sipas saj, jemi bllokuar në këtë rrugë.

Osmani tha se procesi i bazuar në merita, sipas saj, ende nuk po shfaqet realisht, si dhe u shpreh se Kosova nuk kërkon bamirësi, por respekt për punën dhe reformat që ndërmerren.

“Ne kemi parë vetëm këtë rrugë, rrugën e integrimit evropian, Ne nuk flirtojmë me fuqi të tjera, me fuqi keqdashëse. Rusia, Kina, Irani, ajo që unë e quaj një “trekëndësh i së keqes”.

“Por, në të njëjtën kohë, nuk ndjejmë se kjo qasje pro-evropiane dhe fakti që jemi 100% tërësisht të harmonizuar dhe politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është shikuar apo vkerësuar siç duhet. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë”.

“97 për qind e popullit të Kosovës është pro-evropian. Reformat tona në ekonomi, sundimin e ligjit, sidomos në luftimin e krimit dhe korrupsionit, kanë qenë themelore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit jemi bllokuar. Duket se procesi i bazuar në merita për të cilin BE flet aq shumë, ende nuk po shfaqet realisht”.

“Nuk e shoh se po ndodh. Por, shpresoj që Gjermania do të luajë rolin udhëheqës për të shtyre përpara një process të tillë, sepse ne nuk po kërkojmë bamirësi. Nuk po kërkojmë shkurtesa, por respekt për punën që bëjmë dhe pranim për reformat që ndërmarrim”, u shpreh presidentja Osmani./kk