Kadiri: Qeveria të bëjë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Pasnesër shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, një plagë e hapur për shumë familje të cilat që më shumë se dy dekada kanë mbetur në pritje të një lajmi për fatin e më të dashurve të tyre. Rina Kadiri nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë ka folur për aktivitetin 20-vjeçar të kësaj organizate, e cila është marrë me ballafaqimin me të kaluarën, sidomos me çështjen e të pagjeturve.

Kadiri, duke folur për historikun e aktivitetit të kësaj organizate, tha se ajo operon në Kosovë afro 20 vjet, ku vazhdimisht është marrë me të kaluarën e vendit tonë, ballafaqimin me të kaluarën, me drejtësinë tranzicionale, sidomos me çështjen e të pagjeturve.

“Këtë vit, shënimi i Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, që është 27 prilli, për neve ka një emocion të veçantë për shkak se çdo herë këtë ditë bashkë me bacën Bajram kemi shënuar këtë ditë, dhe në kuadër të Qendrës Burimore për Personat e Pagjetur, organizatë të cilën e ka udhëhequr baci Bajram, kemi pasur aktivitete të ndryshme kur krejt familjet janë bashkuar dhe kanë ndarë dhimbjen me njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, 26 vjet kanë kaluar nga lufta dhe ende nuk dihet fati i këtyre personave,” tha Kadiri në ‘InfoPlus’.

Tutje, Kadiri vuri në dukje se 1,592 persona figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Më tej, Kadiri shpalosi se një nga aktivitetet e organizatës të cilën ajo drejton do të jetë veprimtaria përkujtuese për Bajram Çerkinin, veprimtar i palodhur për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, i cili ka ndërruar jetë pak muaj më parë, pa zbuluar fatin e djalit të tij, i cili figuron i zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë nga forcat serbe.