Në një epokë ku jemi vazhdimisht në lëvizje dhe lodhja është bërë gjendje e përditshme, një trend i ri që duket se na vjen në ndihmë po fiton terren: nappuccino. Ky term hibrid, që vjen nga bashkimi i fjalëve angleze nap (një sy gjumë) dhe cappuccino, përshkruan praktikën e pirjes së një filxhani kafeje menjëherë përpara një gjumi të shkurtër. Edhe pse në pamje të parë duket aspak logjike, pasi kafja është stimulues që të lë pa gjumë, një numër gjithnjë në rritje studimesh tregojnë se kjo metodë mund të jetë ndër mënyrat më efikase për të rritur energjinë, përqendrimin dhe performancën mendore.
Sekreti qëndron në kohën e saktë: kafeina ka nevojë për rreth 20 minuta për t’u përthithur dhe për të ndikuar në tru. Kjo krijon një “boshllëk kohor” gjatë së cilit një sy gjumë prej 10-20 minutash redukton presionin e lodhjes që shkaktohet nga substance e adenosinës. Pikërisht kur njeriu zgjohet, kafeina fillon të bllokojë receptorët e kësaj substance, duke dhënë energji më të madhe sesa vetëm kafja apo gjumi veç e veç. Ky kombinim përforcohet nga tendencat moderne për fleksibilitetin e punës nga shtëpia.
Shkenca, ndikimi dhe si ta bëni siç duhet
Shkenca mbështet këtë praktikë. Një nga studimet më të cituara nga Universiteti i Loughborough në Britani tregoi se drejtuesit e mjeteve që pinin një kafe dhe më pas flinin për 15 minuta performuan shumë më mirë krahasuar me ata që thjesht pinin kafe, flinin apo nuk bënin asnjërën. Po ashtu, studime të tjera (si ai i botuar në Psychophysiology) tregojnë se një sy gjumë pas marrjes së 200 mg kafeinë përmirëson ndjeshëm reagimin mendor. Edhe NASA ka pohuar se një sy gjumë 26-minutësh mund të rrisë vigjilencën me 54% dhe performancën me 34%.
Të tjera
Gjermania dhe Austria i bëjnë thirrje Izraelit të lejojë më shumë ndihma humanitare për Gazën
Arrestohet në flagrancë një person për fajde në Prizren
Një person dërgohet në QKUK, është në gjendje të rëndë