Katër të ndaluar për rast rrëmbimi në Prishtinë, mes tyre edhe një polic

Katër të ndaluar për rast rrëmbimi në Prishtinë, mes tyre edhe një polic

Katër persona janë ndaluar lidhur me rastin e rrëmbimit që kishte ndodhur më 19 shtator 2025, në lagjen Veternik të Prishtinës, kanë bërë të ditur përmes një komunikate të përbashkët Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga hetuesit policor dhe identifikimit të personave të dyshuar lidhur me rastin ka rezultuar se në këtë rast dyshohet të jetë i përfshirë edhe një zyrtar policor. Menjëherë pas kësaj është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të cilët në bashkëpunim me hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë kanë arrritë të sigurojnë prezencën e personave të dyshuar. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër (imitim i armës AK-47)”, thuhet në komunikatë.

Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, katër të ndaluarve i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa për zyrtarin policor është rekomanduar edhe suspendim nga detyra si pjesë e procedurave administrative.

Tutje thuhet se hetuesit policor dhe ata të IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore, po vazhdojnë veprimet e mëtejme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të këtij rasti, derisa numri i përgjithshëm i personave të arrestuar lidhur me këtë rast ka arritur në tetë.