Kërcënimet ndaj Kurtit, Ekspertët: Sinjale të agresionit hibrid të Serbisë kundër Kosovës – duhen masa urgjente!

Dje, një mesazh kërcënues ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është shfaqur në murin e një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostrovski” në Mitrovicë. Grafitet, të shkruara në gjuhën serbe, përmbajnë gjuhë të hapur urrejtjeje dhe kërcënimi ndaj kryeministrit, duke shqetësuar banorët dhe institucionet lokale.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë, Veton Elshani, ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka të dyshuar apo persona të arrestuar. Ai shtoi se pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti si “kanosje”. Sipas policisë, i njëjti shkrim kishte qarkulluar më parë edhe në rrjetin social Telegram, gjë që sugjeron një tentativë të qëllimshme për të frikësuar kryeministrin dhe institucionet e vendit.

Ky incident shënon një rritje të tensioneve në Mitrovicë, zonë që njihet për ndjeshmëri etnike dhe për sfida të vazhdueshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë siguruar se po punojnë ngushtë për identifikimin e autorëve dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.

Ky rast vjen në një kohë kur siguria dhe stabiliteti i institucioneve janë çështje kritike, duke i dhënë rëndësi reagimit të shpejtë dhe profesional të policisë dhe prokurorisë në veri të vendit.

Ai thekson se reagimi i shpejtë dhe i koordinuar i institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë është i nevojshëm për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parandaluar dhunën.

Image

Arben Fetoshi

“Grafitet kërcënuese ndaj kryeministrit Kurti janë veprime në kuadër të agresionit hibrid të Serbisë kundër integrimit dhe sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Ato janë pjesë e një strategjie të koordinuar që paralajmëron “rezistencë” ndaj rendit institucional dhe kryeministrit si “armik” i serbëve në veri, me qëllim të nxitjes së tensioneve dhe frikësimit të qytetarëve serbë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Prandaj, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë, duke përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë, duhet të reagojnë me vendosmëri, jo vetëm për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, por edhe si përgjigje ndaj Beogradit se veriu është Kosovë dhe rendi i saj kushtetues i padiskutueshëm.

Një reagim i tillë i shpejtë dhe i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë është hap i domosdoshëm për parandalimin e çfarëdo skenari të dhunës e destabilizimit që do ta sfidonte Kosovën”, thotë Fetoshi për “Bota sot”.

Racaj: Grafitet janë një veprim i menduar për të provokuar tensione

Prof. Dr. Muhamet Racaj, Gjeneral Major, në një përgjigje për “Bota sot”, grafitet kërcënuese në veri ndaj Kryeministrit Kurti shihen si provokim i organizuar nga struktura radikale serbe dhe aktorë me interesa gjeopolitike.

Sipas tij, qëllimi është dobësimi i institucioneve dhe krijimi i frikës, andaj edhe përgjigjja kërkon hetim të plotë, prani të shtuar policore, koordinim me inteligjencën e partnerët, komunikim transparent dhe masa shtesë sigurie për zyrtarët.

Image

Prof. Dr. Muhamet Racaj

Kërcënimet përmes grafiteve të shfaqura në veri të Mitrovicës ndaj Kryeministrit Albin Kurti nuk janë një akt i rastësishëm, por një veprim i menduar për të provokuar tensione dhe për të testuar reagimin institucional. Këto veprime kanë natyrë hibride dhe shihen si pjesë e strategjive që synojnë dobësimin e rendit kushtetues dhe autoritetit të shtetit të Kosovës.

Kush qëndron pas tyre?

Analizat e deritanishme tregojnë përfshirjen e strukturave radikale serbe, të lidhura me qendra të caktuara politike dhe paramilitare në Beograd, ndërsa nuk mund të përjashtohet ndikimi i aktorëve të tretë me interesa gjeopolitike, që synojnë të pengojnë konsolidimin e shtetit dhe afrimin e tij me NATO dhe Bashkimin Evropian.

Çfarë rreziku paraqet kjo për sigurinë kombëtare?

Ky është një sinjal paralajmërues se presioni politik dhe psikologjik ndaj udhëheqjes shtetërore është duke u intensifikuar, me qëllim krijimin e perceptimit të dobësisë së institucioneve dhe frikësimit të qytetarëve, veçanërisht në zonat e ndjeshme etnike.

Çfarë masa duhen ndërmarrë?

• Hetim i plotë kriminalistik dhe inteligjent për identifikimin e autorëve.

• Prani e shtuar policore dhe veprime parandaluese në veri.

• Koordinim i ngushtë me Agjencinë e Inteligjencës dhe partnerët ndërkombëtarë.

• Komunikim i qartë dhe i hapur me publikun për të shmangur manipulimet.

• Forcim i masave të sigurisë për zyrtarët e lartë institucionalë.

Ky rast duhet parë si një provokim i organizuar, që kërkon përgjigje profesionale, të koordinuar dhe të vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shpjegon ish-gjenerali Racaj.

Koment strategjik mbi pasojat euroatlantike

Tutje, thotë se aktet destabilizuese rrezikojnë sigurinë e brendshme dhe besueshmërinë e Kosovës në integrimet euroatlantike.

Ai shton se NATO e BE e shohin stabilitetin si kusht kryesor, ndaj reagimi i fortë institucional është domosdoshmëri strategjike për të mos u penguar rrugëtimi integrues.

“Aktivitete të tilla minojnë jo vetëm sigurinë e brendshme, por edhe besueshmërinë e Kosovës në proceset integruese euroatlantike. Partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht NATO dhe BE, e shohin stabilitetin e brendshëm si kusht themelor për avancimin e Kosovës drejt integrimit. Çdo akt që perceptohet si destabilizim apo cenim i autoritetit shtetëror mund të përdoret nga kundërshtarët gjeopolitikë për të justifikuar vonesa, kushte shtesë ose politika neutralizuese ndaj Kosovës. Për rrjedhojë, reagimi institucional i vendosur dhe i koordinuar nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe garanci strategjike për moskomprometimin e rrugëtimit euroatlantik të vendit”, thekson ai.