Ka filluar mbledhja e Komisionit të Legjislacionit në Kuvendin e Kosovës, ku po shqyrtohen amendamentet kushtetuese të paraqitura nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që presidenti apo presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Rrustemi: Amandamentet t’i procedohen seancës plenare
Anëtari i këtij komisioni nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi ka thënë se rrethana në të cilat ndodhemi, edhe i shpjegon edhe i justifikon edhe kohën e shkurtër edhe thirrjen e mbledhjes brenda ditës dhe rekomandimet duhet të procedohen në seancë plenare.
“Por, kjo nuk është esenciale sa i përket kësaj çështje. Natyrisht në një rrethanë tjetër do të ishte më mirë të kishim kohë më shumë. Por, këto nuk janë elemente esenciale që e pengojnë as procedurën e as procesin. Esenciale këtu janë tri elemente: e para pala e autorizuar që mund të propozojë amandamente, që në rastin konkret presidenti apo presidentja e ka me kushtetutë, elementi i dytë esencial është se amandamentet kushtetuese para se të votohen nga deputetët duhet t’i nënshktrohen vlerësimit nga ana e gjykatës kushtetuese për sa i përket pakësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, gjë që ka ndodhur dhe është përmbushur. Dhe elementi i tretë është votimi i amnadamenteve kushtetuese në procedurë kushtetuese, në kushtin e votes së kërkuar prej 2/3 të të gjithë deputetëve dhe procesin e votimit të dyfishtë natyrisht”, tha Rrustemi.
Dy elementet e para pavarësisht kohës sipas tij janë të përmbushura.
“Po flasim për amandamentet e njëjta për nga përmbajtja që janë nënshtruar vlerësimit të gjykatës kushtetuese dhe GJK e ka nxjerr aktgjykimin në fjalë duke i validuar në aspektin kushtetues. Mbetet elementi i tretë që t’i nënshtrohet votimit nga ana e deputetëve të Kosovës. Edhe kjo mbledhje sonte është brenda këtij kuadri. Në një rrethanë tjetër ne natyrisht do të mblidheshim para se seanca t’i trajtonte. Por duke konsideruar që tashmë është përmbylluyr faza e vlerësimit nga ana e GJK-së, ne si komision për lefjilacion e kemi përgjegjësinë funksionale për ta konstatuar këtë gjë, për të spastruar dhe për të dërguar rekomandimin e komisionit në seancën plenare. Sa i përket afatit 7 ditor, është plotësisht afat operativ i përcaktuar me rregullore dhe nuk është afat përfundimtar dhe as nuk mund të jetë, as logjikisht as proceduralisht”, tha Rrustemi.
Gruda: Nuk mund të shqyrtohen amandamentet e para një dekade
Përparim Gruda nga PDK, që është kryesues i këtij komisioni tha se sot nuk mund të shqyrtohen amandamente kushtetuese. Sipas tij, për t’u shqyrtuar ato duhet që kjo të bëhet 7 ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Pse nuk mundemi pas një dekade t’i shqyrtojmë, së pari e ndalon rregullorja dhe e dyta prej 2011 ne i kemi bërë mbi 20 amandamente në Kushtetutën e Kosovës. Kemi dhjetëra vendime të Gjykatës Kushtetuese që e kanë ndërruar interpretimet dhe është pasqyruar jurispoudenca e Kushtetueses. Prandaj, Kushtetuta e sotme nuk është e njëjtë me Kushtetutën e vitit 2011. Edhe po ta shmangnim afatin nuk ka asnjë kuptim”, tha ai.
Sipas Grudës, për t’u diskutuar një amandament i vlefshëm duhet të niset nga fillimi, të dërgohet në Kushtetuese, të vjen prej kësaj gjykate, komisioni të mblidhet brenda 7 dite siç thotë rregullorja dhe i procedon ato për këtë seancë.
“Prandaj ky propzozim është i paafatshëm. Amandamentet e bëra para më shumë se një dekade nuk mund të sillen sot. Nuk mund t’i sjellë presidentja e Kosovës. Rregullorja e punës së Kuvendit thotë qartë kur amandamentet kalojnë në GJK, siç është ky rast, ato shkojnë tek komisioni përkatës për legjilacion. Pra vijnë te ne prej GJK-së, jo me nejt 14 vjet në arkiva e mi marrë presidentja e mi sjellë tek ne”, shtoi Gruda.



Të tjera
Nxënësit gjermanë organizojnë protesta mbarëkombëtare kundër ligjit të ri për shërbimin ushtarak
Partneriteti me SHBA-të mbetet jetik dhe i pazëvendësueshëm
Qëndrimi ulur për orë të tëra ka pasoja të frikshme për shëndetin