Danimarka e ka prioritet zgjerimin e BE-së

Konfirmohet data e samitit BE-Ballkani Perëndimor

Samiti vjetor mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

Bëhet fjalë për ngjarjen më të rëndësishme politike ku mblidhen 27 liderët e shteteve anëtare të BE-së dhe gjashtë nga rajoni.

Në prag të përgatitjeve për samitin, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte bojkotuar samitin e fundit të mbajtur në dhjetor të vitit 2025.

Sipas zëdhënëses Paola Pinho, takimi i qershorit ishte në fokus të bisedave me liderin serb, por ajo nuk konfirmoi nëse Vuçiq ka premtuar se do të marrë pjesë në samitin e radhës.

“Nuk do ta përjashtoja mundësinë që presidentja Von der Leyen të bisedojë me liderët tjerë të Ballkanit Perëndimor në prag të samitit”, tha Paola Pinho.
Ftesat për pjesëmarrje tashmë janë dërguar te të gjithë liderët e rajonit. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar se Kosovën në këtë ngjarje do ta përfaqësojë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Samitet me Ballkanin Perëndimor mbahen një herë në vit dhe çdo herë të dytë organizohen në një shtet të rajonit. Është kjo platformë kryesore politike për dialog strategjik midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, me fokus në zgjerimin, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor.