Në konferencën e përbashkët me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova pret mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Konjufca vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një hap i rëndësishëm edhe për Kosovën, ndërsa shtoi se hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të shërbente si frymëzim dhe mbështetje për aspiratat eurointegruese të Kosovës.
“Në këtë drejtim i kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO. Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance”, tha Konjufca.
Ai theksoi se mbështetja e Shqipërisë është e rëndësishme edhe në procesin integrues evropian të Kosovës, duke kërkuar avancimin e vendit drejt marrjes së pyetësorit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Mbështetja e Shqipërisë në procesin drejt Bashkimit Evopian është shumë e nevojshme, është shumë e rëndësishme”, pohoi ai.
“Shqipëria po e bën progresin e saj final drejt Bashkimit Evopian, por duhet të kërkoj që të kërkojmë së bashku që edhe Kosovës t’i jepet një mundësi e tillë. Për ne është jetike, është marrja e pyësorit nga ana e Bashkimit Evopian si dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evopian. Në një farë mënyre Shqipëria krahas avancimit të vetë gjithmonë do ta ketë,
do t’i bie dhe barra që të jetë edhe zëri i Kosovës gjithmonë. Në këtë proces diaspora shqiptare në botë është një aset, është pasuri e jona kombëtare edhe është njëra prej platformave më të rëndësishme të politikës tonë të jashtme”, shtoi ai.
Konjufca shtoi se në takimin me Hoxhën janë diskutuar edhe çështje të bashkëpunimit rajonal, mbështetja për diasporën shqiptare, projektet infrastrukturore mes dy vendeve dhe thellimi i bashkëpunimit ndërqeveritar.
“Një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës vazhdon të jetojë jashtë atdheut. Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë në mbështetje të mërgatës shqiptare kudo nëpër botë. Ne jemi kombi i gjuhës dhe komb i kulturës. Prandaj mbështetja shtetërore për ruajtjen e identitetit është jetike për të ardhmen tonë kombëtare në dekadat që do të vijnë. U zotuam po ashtu që bashkëpunimi ndërqeveritar do të intensifikohet në të gjitha drejtimet dhe në të gjithë sektorët. Ekonomitë tona po integrohen gjithnjë e më shumë. Ato gjithnjë më tepër po bëhen si një ekonomi kombëtare. Prandaj vazhdimi i projekteve strategjike siç është ndërtimi i hekurudhës Prishtinë, Gjakovë, Shkodër, Durrës është infrastruktura që do t’ia japë një hovë tjetër bashkimit tonë krahas rrugës së kombit e cila tashmë ka hyrë në dekadën e dytë. Një kombi i duhet infrastruktura ashtu që ai të jetë gjithnjë e më i bashkuar sepse mobiliteti i afron njerëzit si dhe e rrit në të njëjtën kohë potencialin për zhvillim. Përtej abetares duhet të shkojmë edhe drejt unifikimit të sistemeve tona arsimore dhe plan programeve shkollore. Shkolla e përbashkët është baza e çdo integrimi tjetër kulturor, ekonomik dhe social. Shkolla duhet të prodhojë mendësinë e përbashkët shoqërore për të gjithë sektorët që do t’i ndërlidhim gjithnjë e më shumë”, tha Konjufca.



Të tjera
Kështu duhet të veproni kur shtypja e gjakut ju bie shpejt
Konjufca: Shqipëria ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO
3 ndjenja urie që janë shenjë e një problemi shëndetësor