Konjufca takon Kraevskin, diskutojnë për sigurinë dhe politikën e jashtme

Konjufca takon Kraevskin, diskutojnë për sigurinë dhe politikën e jashtme

Zëvendëskryeministri i Parë dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, transmetin KosovaPost.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e ka uruar Konjufcën për mandatin e ri, ndërsa të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Në fokus të bisedës ishte vlerësimi i marrëdhënieve shumë të mira mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë, si dhe nevoja për thellimin e tyre në fusha të ndryshme, njofton zyra për informim e MPJD-së.

Në veçanti, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, duke e konsideruar këtë si element kyç për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.

Bëhet e ditur se me këtë rast, ambasadori bullgar i ka bërë edhe një ftesë zyrtare Konjufcës për të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që do të mbahet në Sofje në qershor të vitit 2026.

Nga ana e saj, Kosov ka rikonfirmuar përkushtimin për të thelluar më tej partneritetin me Republikën e Bullgarisë dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët.