Senati i Shtetit të Nju-Jorkut ka miratuar një rezolutë zyrtare që nderon Kosovën dhe përkujton 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj.
Një rol të veçantë në këtë iniciativë ka pasur Senatorja Jessica Scarcella-Spanton, e cila është shprehur e lumtur që mund të mirëpresë përfaqësues të komunitetit kosovar në Kapitol. Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe traditave kosovare në Nju-Jork.
“Jam e nderuar që edhe një herë po e promovoj këtë rezolutë dhe t’i mirëpres njerëzit e Kosovës në Kapitolin tonë për të festuar pavarësinë e tyre. Jam krenare që përfaqësoj një komunitet kaq të fortë kosovar këtu në SD23 dhe mbetem e përkushtuar të festoj kulturën dhe traditat e tyre së bashku me ta”, tha senatorja Scarcella-Spanton.
Rezoluta vlerëson arritjet historike të Kosovës, lidhjet e forta dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe rolin e komunitetit kosovar në jetën sociale dhe kulturore të shtetit të Nju-Jorkut.
Fjalimi i saj në Senat:
Sot, edhe një herë, nderojmë rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Kosovës drejt pavarësisë këtu në Nju Jork, një pavarësi e fituar me shumë sakrifica dhe me ndikim të thellë për popullin e saj. Populli i Kosovës, gjatë të gjitha sfidave dhe vështirësive që çuan drejt pavarësisë, ka treguar forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ishte një moment madhor në historinë moderne, duke shënuar fundin e viteve të tëra përpjekjesh dhe fillimin e një kapitulli të ri. Ndërsa reflektojmë mbi këtë rrugëtim, nderojmë sakrificat e bëra nga populli i Kosovës dhe përkushtimin e tyre të palodhur për liri.
Vazhdoj të konsideroj nder të sponsorizoj këtë rezolutë çdo vit, si shenjë njohjeje të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Sot festojmë arritjet e popullit kosovar dhe shohim përpara drejt një të ardhmeje të ndritur, si këtu në Nju Jork, ashtu edhe në vendlindjen e tyre, Kosovë.
Jam vazhdimisht krenare për popullin kosovar që përfaqësoj në Distriktin 23 të Senatit dhe për përkushtimin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë dhe kulturës, pavarësisht se ku ndodhen në botë. Do të vazhdoj të punoj krah për krah me të gjithë njerëzit nga Kosova dhe komunitetin e tyre këtu në Nju Jork për shumë vite që do të vijnë.



Të tjera
Ushqimet që ju ndihmojnë për të mbetur shtatzënë
Misri, një burim mineralesh dhe antioksiduesish
Çfarë duhet të dini për migrenën