Hoxha: Kosova, prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i Shqipërisë

Kosova, prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një telefonatë me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, ku rikonfirmoi lidhjen e veçantë mes dy vendeve dhe angazhimin e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës.

Në deklaratën e tij në rrjetet sociale, Hoxha tha se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe forcimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ministri vlerësoi zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë–BE, dhe shprehu bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë në rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat.

Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e riaktivizimit të mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar, duke shtuar se bashkëpunimi do të vijojë të forcohet në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia.

Ai siguroi Konjufcën se Shqipëria do të mbetet gjithmonë në krah të Kosovës, duke deklaruar: “Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë.”

Ferit Hoxha rikonfirmoi gatishmërinë për një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë mes dy ministrive, duke nënvizuar se Shqipëria dhe Kosova do të vijojnë të qëndrojnë krah për krah, me një vizion të përbashkët për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit.