Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në platformën e rezultateve ka filluar transmetimi i të dhënave për kandidatët për deputetë, nga procesi i numërimit që po zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit në gjithë vendin.
Ai ka theksuar se të dhënat e para të publikuara vijnë nga QKN-të e 15 komunave: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat paraditen e së hënës ka filluar procesi i numërimit dhe verifikimit.
Ndërkaq, pasditen e së hënës, aktivitetet kanë filluar edhe në QKN-të e 23 komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri dhe Malishevë.
Elezi ka bërë të ditur se në Qendrat Komunale të Numërimit ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Sipas tij, pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat transmetohen në platformën për rezultate.
Ai ka shtuar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike bëhet në vendvotim pas përfundimit të procesit të votimit, ndërsa numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendrat Komunale të Numërimit, ku bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.
Rezultatet mund të ndiqen në platformën zyrtare: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/



Të tjera
Përdorimi i muzikës si ndihmë për gjumë
Vazhdon numërimi i votave, këta janë pesë kandidatët më të votuar të partive politike
Pse është e rëndësishme të mbani shënime?