Bekim Hamëz Jashari: Krahasimi i veprimeve shtetërore të Kosovës me regjimin e Millosheviqit është i papranueshëm

Krahasimi i veprimeve shtetërore të Kosovës me regjimin e Millosheviqit është i papranueshëm

Bekim Hamëz Jashari ka reaguar ashpër ndaj disa deklaratave të individëve dhe politikanëve në Kosovë, të cilët, sipas tij, kanë krahasuar veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit me krimet e regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, shkruan KosovaPost.

Jashari ka theksuar se deklarata të tilla përbëjnë fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar dhe bien ndesh me të vërtetën historike. Sipas tij, është e papranueshme që veprimet e një shteti sovran, të cilat synojnë shtrirjen e rendit dhe ligjit, shuarjen e strukturave paralele ilegale dhe funksionimin e institucioneve në gjithë territorin e Kosovës, të krahasohen me sundimin e dhunshëm dhe shtypës të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Ai ka paralajmëruar se këto deklarata i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë, e cila, sipas tij, synon përçarjen e brendshme dhe dobësimin e shtetit të Kosovës përmes konflikteve të brendshme politike.

“Populli i Kosovës i njeh mirë të gjithë aktorët politikë dhe nuk ka harruar veprimet dhe qëndrimet e tyre ndër vite, veçanërisht në momentet më të vështira për vendin,” ka theksuar Jashari, duke shtuar se historia nuk mund të fshihet apo rishkruhet për interesa të ngushta politike.

Në fund, Jashari ka bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke theksuar se politika duhet të shërbejë si mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo si instrument për përçarje apo relativizim të krimeve serbe.

Postimi i plotë:

Është e turpshme dhe e papranueshme se si disa individë e politikanë të vendit, e akoma më keq disa të tjerë që thirren si “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari, bëjnë deklarata që nga njëra anë përbuzin veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri, ndërsa nga ana tjetër i krahasojnë këto veprime shtetërore me krimet e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Kjo nuk është as padije, as lapsus politik por fyerje e rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Si mund të krahasohet sundimi dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e shtetit tonë sovran, i cili po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës?

Këto deklarata i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë. Sepse Serbia dëshiron pikërisht këtë: të na shohë të përçarë, të papërgjegjshëm, të zhytur në konflikte të kota dhe larg interesave vitale të shtetit të Kosovës.

Populli na njeh mirë. Ai nuk ka harruar të bëmat e secilit prej nesh: kush kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si jemi sjellë ndër vite, sidomos në momentet më të vështira për vendin. Historia nuk fshihet me deklarata ditore dhe as nuk rishkruhet për interesa politike.

Prandaj, bëjmë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare. Politika duhet të jetë mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime të ngushta partiake.

Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra.

Me respekt,
Bekim Hamëz Jashari