Shkruan: Nexha Xhema
Anna Lindh ishte Ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës suedeze dhe evropiane.
Më 11 shtator 2003, ajo u vra brutalisht në Stokholm nga Mijailo Mijailović, një shtetas serb 32-vjeçar, i lindur dhe i rritur në Suedi.
Motivi i vrasjes ishte urrejtja politike.
Mijailović e urrente Anna Lindh për shkak të mbështetjes së saj të hapur ndaj NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Ky akt tronditës ndodhi vetëm katër vjet pas përfundimit të luftës, në zemër të një shteti demokratik dhe paqësor.
Vrasësi e sulmoi ministren disa herë me thikë brenda një qendre tregtare në Stokholm, duke i shkaktuar vdekjen. Ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe trajtim psikiatrik.
Autoritetet dhe gjykatat suedeze kanë refuzuar disa herë kërkesën e tij për transferim në Serbi për vuajtje të dënimit. Arsyetimi i autorit për vrasjen ishte se “dëgjonte zëra që e nxisnin të vriste”. Konfliktet familjare, papunësia dhe probleme të tjera u përdorën nga mbrojtja për të argumentuar çrregullime mendore.
Një detaj veçanërisht tronditës lidhet me reagimin e familjes së tij. Pesë vjet pas vrasjes, gjyshja e Mijailovićit nga Beogradi i dërgoi atij në burg librin “Boj na Kosovu” – “Beteja e Kosovës 1389”. Ajo deklaronte se, pas marrjes së librit, ai kishte ndërprerë kontaktet telefonike.
Ky fakt tregon se, pavarësisht se ishte lindur dhe rritur në Suedi, autori vazhdonte të ushqehej me mite nacionaliste dhe narrativa të urrejtjes, të cilat janë përdorur ndër dekada për të justifikuar dhunë, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatave të pafajshme në Kosovë dhe Bosnje.
Asnjëherë nuk është raportuar ndonjë shenjë pendese nga ana e tij. Përkundrazi, gjyshja e tij kishte deklaruar:
“E pashë foton e tij në gazetë; dukej i bukur si ikonë.”
Një deklaratë që trondit ndërgjegjen njerëzore dhe pasqyron thellësinë e deformimit moral që prodhon ideologjia e urrejtjes.
Fatkeqësisht, edhe sot ekzistojnë shembuj të politizimit ekstrem të historisë dhe glorifikimit të narrativave që nxisin përçarje dhe dhunë. Megjithatë, shpresa mbetet që historia të shërbejë për reflektim dhe pajtim, jo për justifikim të krimeve.
Anna Lindh mbetet një simbol i paqes, dialogut dhe guximit politik.
Ajo përkujtohet me dhimbje dhe respekt.
Shënim:
Mijailo Mijailović vazhdon të jetë i burgosur në Suedi. Ai nuk ka afat të garantuar lirimi dhe konsiderohet ende rrezik serioz për shoqërinë. Autoritetet e Serbisë nuk kanë shprehur kurrë keqardhje zyrtare për këtë vrasje makabre.



Të tjera
Osmani takon shefin e OSBE-së, thekson rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve
Komuna e Obiliqit ashpërson masat ndaj ndotjes, gjoba deri në 1000 euro
Rinumërohen mbi 70% e vendvotimeve në QNR, 25 komuna përmbyllin procesin