Kryeparlamentari Basha u takua me ambasadorin britanik

Kryeparlamentari Dimal Basha priti sot në takim ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive të Kuvendit.

Basha shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës ndaj Britanisë së Madhe për rolin e saj gjatë luftës, dhe mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e shtetit, ekonomisë dhe institucioneve demokratike të vendit tonë.

Ai tha se Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj, si dhe qëndron e vendosur në avancimin e integrimit në familjen evropiane, dhe synimin e qartë për anëtarësim në NATO, raporton KosovaPress.

Ndërsa, ambasadori Hargreaves ri-konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe intensifikim të raporteve të vendit të tij me Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.