Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, prioritetet organizative dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme.
“Gjatë mbledhjes u theksua se PDK-ja po hyn në një fazë të rëndësishme të konsolidimit organizativ përmes zgjedhjeve të brendshme, të cilat do të zhvillohen në përputhje me Statutin e partisë dhe mbi parimet e demokracisë së brendshme, transparencës dhe garës së ndershme”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Kryesia vlerësoi se ky proces përbën një mundësi të rëndësishme për fuqizimin e strukturave partiake, përfshirjen e energjive të reja dhe ndërtimin e një partie më të fortë dhe më të bashkuar, e gatshme për sfidat politike që e presin vendin.
Po ashtu, në mbledhje u diskutua edhe për zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, me ç’rast u shpreh pritja që vendimi të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së.
Gjithashtu bëhet e ditur se kryesia ritheksoi se, pavarësisht sfidave politike, PDK-ja ka ruajtur unitetin dhe organizimin e saj, duke mbetur forca kryesore opozitare me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës, thotë se mbetet e përkushtuar për forcimin e demokracisë së brendshme dhe për angazhimin drejt një Kosove më të zhvilluar, më të sigurt dhe të integruar në institucionet euroatlantike.



Të tjera
Fishekzjarre dhe mesazhe miqësie për 250-vjetorin e SHBA-së në Prishtinë
Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzon urdhrin e Trump për shtetësinë automatike
Pandemia po i bën njerëzit të duken më të plakur, ekspertët shpjegojnë pse