Komuna E Gjilanit 780x439

“Kryetarit i është bërë shpija ujk” – Aliu reagon ndaj paralajmërimit për raportimin e Hysenit për punën gjashtë mujore

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se kryetari Alban Hyseni do të prezantojë para qytetarëve punën e tij gjashtë mujore.

Mirëpo, sipas njoftimit bëhet e ditur se raportimi para qytetarëve nuk do të mbahet në hapësirat brenda komunës, por tek parku urban në Gjilan

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të Grupit të këshilltarëve nga radhët e Lidhjes Demokratikë të Kosovës Avdyl Aliu, i cili tha se të parit të komunës i është bërë shpija ujk.

“Të parit të ekzekutivi i është bërë shpija ujk, kurdo që mundet ikën nga Gjilani dhe Kosova, por edhe kur është në Gjilan nuk kryen punë nga zyra dhe institucioni, raporton nëpër rrugë dhe nëpër parqe”, ka shkruar Aliu.

Ai tha se këto veprime të kryetarit rrjedhin si pasojë se ai nuk ka fytyrë të dalë para Kuvendit Komunal.

“Duke mos pas fytyrë që ta dalë para Kuvendit, ai ka zgjedhur të raportoj jashtë ambientit institucional dhe jo para kuvendarëve. Në fakt, para militantëve partiakë”, ka thënë tutje ai, duke theksuar se qytetarët kanë votuar për një kryetar i cili duhet të bashkëjetoje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

“Qytetarët kanë votuar për një kryetar i cili ka qenë dashtë të jetë para së gjithash institucionalist dhe që ka me bashkëjetu çdo ditë me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të komunës”, ka theksuar ai.

Aliu punën gjashtëmujore të kryetarit Hyseni e quan të dështuar dhe kthim mbrapa në çdo aspekt.

“6-mujori i dështuar, mandati i dështuar, kthim mbrapa në çdo aspekt. Gjilani n’fund t’pusit”, ka përfunduar ai.