Me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Kosharës dhe përvjetorit të rënies së heroit Sali Çekaj, sot është mbajtur akademia përkujtimore në sallën e kuqe tek Pallati i Rinisë në Prishtinë.
Të pranishëm në akademi ishin figura të rëndësishme politike, familjarë të heronjve, veteranë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë.
Së pari u këndua himni kombëtar e më pas u mbajt një minutë heshtje për sakrificën e të rënëve për liri.
E para që mori fjalën ishte ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se jeta e heroit Sali Çekaj ishte ndërthurur me çdo etapë të përpjekjes për liri.
“Më 9 prill të vitit 1999, ra heroikisht edhe Sali Çekaj. Veterani, jeta e të cilit ishte ndërthurur me çdo etapë të përpjekjes për liri, gjithmonë në shërbim të atdheut, gjithmonë në vijën e parë të frontit. Heroi ynë besoi fort në idenë se kufijtë që ndajnë një popull nuk janë të përjetshëm. Për të, shembja e kufirit ndërshqiptar ishte përmbushja e amanetit shekullor për liri, shtet dhe për të qenë afër njëri-tjetrit. Ai la pas shembullin e një njeriu që kalon nga bindja në veprim, nga fjala në organizim dhe nga ideja në strategji. Tek ai u bashkuan përvoja e brezit të vjetër dhe vendosmëria e brezit që po vinte”, tha Haxhiu.
E më pas, zëvëndëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se heroi Sali Çekaj me të drejtë kujtohet si një luftëtar i vendosur.
“Emri i tij zë një vend të veçantë në historinë e luftës sonë për liri dhe të kujtesës shtetërore e kombëtare të Republikës së Kosovës. Me të drejtë, ai kujtohet me respekt të veçantë si një luftëtar i vendosur, si një komandant dhe si njëri ndër burrat që i’u gjetën Kosovës në çastet më vendimtare të saj, Por, figura e Sali Çekaj bëhet edhe më e plotë kur e kujtojmë në tërësinë e saj, si të një ideali kombëtar, si jurist, si organizator, si veprimtar të vlefshëm dhe si njëri të Kosovës që i shërbeu asaj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”, tha Gërvalla.
Ndërsa, djali i heroit Hysen Çekaj kujtoi takimin e fundit me babin e tij.
“Takimi i fundit me babin ishte viti i ri 98/99, pas asaj dite gjithçka që kisha prej tij ishte kujtim. Fytyra e tij, zëri i tij, duart që më ledhatonin, gjithçka. Një ndër momentet më të vështira të jetës sime, ai kujtim ishte forca ime sepse në pjesën më të madhe të jetës kujtimi ishte gjithçka që kisha nga babai. Përkujtimi im për babën nuk është vetëm kujtim, por edhe shpresë. Djalin tim e kam quajtur Salih, tek Salihu i ri më duket se e shoh amanetin e Salihut të vjetër për të ardhmen”, tha djali i heroit.
Mes të tjerash gjenerali i luftës Fadil Hadërgjonaj përmes një fjale rasti ka përkujtuar të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.



Të tjera
Çështja e Presidentit: Kurti dhe Abdixhiku takohen nesër
8 gjëra që duhet të dini për varicet
Lakers triumfojnë pa yjet, LeBron bën diferencën