Kurti: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucioni më sipëror, ku nuk ka mendim që nuk mund të thuhet dhe nuk ka debat që nuk mund të zhvillohet

Kurti: Dy djem të policëve dëshmorë në gjeneratën e 63-të të Policisë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se në kuadër të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës janë edhe dy djemtë e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, Sokol Enver Zymeri dhe Jetlum Afrim Bunjaku. Sipas tij, Sokoli dhe Jetlumi sot janë kadetë në këtë akademi dhe pas diplomimit do të jenë zyrtarë policorë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të Republikës, përcjell KosovaPost.

Kurti tha se përgjatë tremujorit të parë të këtij viti, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është akredituar për periudhën 2026–2031 në fushën e arsimit të lartë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe kanë diplomuar 21 zjarrfikës në trajnimin profesional, janë realizuar 24 trajnime me 359 pjesëmarrës, ndërsa është duke u mbajtur trajnimi profesional për gjeneratën e 46-të të Shërbimit Korrektues të Kosovës me 100 kadetë si dhe trajnimi për zyrtarë policorë për gjeneratën e 63-të me 412 kadetë.

Ai theksoi se AKSP është themeluar në vitin 1999 në Vushtrri, fillimisht si Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, më pas në vitin 2006 si Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, ndërsa nga viti 2008 mban emrin aktual. Sipas tij, që nga themelimi AKSP ka trajnuar mbi 150 mijë zyrtarë, ka realizuar mbi 6 mijë trajnime dhe kanë diplomuar mbi 300 zyrtarë në Fakultetin e Sigurisë Publike.

Kurti shtoi se AKSP është institucioni i vetëm publik në Republikën e Kosovës i specializuar në arsimimin dhe trajnimin e personelit në fushën e sigurisë publike, ndërsa programet e saj i nënshtrohen akreditimit dhe validimit nga institucione vendore dhe ndërkombëtare sipas standardeve përkatëse.

Ai theksoi se shërbimet trajnuese dhe akademike u ofrohen institucioneve të sigurisë publike, përfshirë Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Shërbimin Sprovues të Kosovës, Doganën e Kosovës, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Kryeministri në detyrë vlerësoi se akademia duhet të fuqizohet edhe në dimensionin akademik dhe hulumtues, përmes analizave strategjike, studimeve profesionale dhe kontributit në hartimin e politikave të sigurisë, duke theksuar se mbështetja për AKSP do të vazhdojë.