Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, bënë homazhe te varri i dëshmorit të kombit, heroit Agron Rrahmani, në 28-vjetorin e rënies heroike.
Pas nderimeve, Kurti tha se java e dytë e muajit maj të vitit 1998 ishte shumë e rëndë për luftën çlirimtare, pasi përbrenda saj u vranë Fahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani.
“Bahri Fazliu ishte ideologu politik e kombëtar, Ilir Konushevci ishte shpirti i logjistikës dhe i organizimit të UÇK-së, ndërkaq Agron Rrahmani ishte komandanti i paepur i operacioneve, i cili që nga shkurti i vitit 1998 ishte edhe komandant i njësitit gueril ‘Rexhep Mala’. Këto goditje i dhanë një hov të madh luftës çlirimtare, sepse populli shqiptar në njërën anë e kuptoi që veçse me luftë do të mund të çlirohemi nga okupatori agresori serb dhe në anën tjetër lufta filloi që të shtrihet edhe në zonat urbane, duke i shtuar kësisoj edhe radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe vetëdijen e mbarë popullit tonë”, ka thënë Kurti, njofton Kryeministria.
Tutje ai ka thënë se Agron Rrahmani, i cili ra në betejë të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe, në “Lagjen e Muhaxherëve”, gjithmonë do të mbetet shembull i një veprimtari, i një patrioti, i cili sakrifikoi gjithçka deri në flijim për çlirimin e populli dhe lirinë e vendit.



Të tjera
Metoda më e lehtë dhe më e sigurt për heqjen e dyllit në vesh
Drena bëhet aksionare në një nga qumështoret më të vjetra në Poloni
Kos: Siguria e Evropës varet nga stabiliteti në Ballkan, rajonin duhet ta pranojmë në BE