Kurti nderon Zahir Pajazitin me bashkëluftëtarë- 'Rënia e tyre i dha hov UÇK-së'

Kurti nderon Zahir Pajazitin me bashkëluftëtarë- ‘Rënia e tyre i dha hov UÇK-së’

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kolegë nga qeveria dhe Kuvendi, ka bërë homazhe sot te përmendorja e Zahir Pajazitit, në sheshin që mban emrin e tij, me rastin e 29-vjetorit të rënies së Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Në fjalimin e tij, Kurti përmendi sakrificën e tyre, luftën e palodhur dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që kanë pasur në forcimin e vetëbesimit popullor dhe në rritjen e radhëve të UÇK-së.

“Bashkë me presidenten e Kosovës dhe me nënkryetaren e Kuvendit dhe me kolegë nga qeveria e Kuvendi, e me aktivistë nga lëvizja, me veprimtarë të çështjes kombëtare, me luftëtarë e ish-të burgosur politikë, vendosëm sot lule të freskëta këtu te përmendorja e Zahir Pajazitit në kryeqytet, në sheshin që mban emrin e tij. Zahir Pajaziti kishte veprimtari të dendur si pak kush tjetër. Ai ishte një luftëtar i pajepur tërë jetën dhe njëkohësisht një guerilas me aksione fort të suksesshme. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në janarin e vitit 1997, u vranë nga pusia e forcave serbe për shkak se nuk ishte edhe e mundshme ndryshe. Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, sa që vetëm kurthi, pusia, prita, mund t’i jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu siç nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti”, tha mes tjerash Kurti.