Kurti në Berlin s’e përmend kushtin e njohjes së dokumenteve nga Serbia, e nënshkruan planin e ri për Tregun e Përbashkët Rajonal

Prej kërcënimeve të Gjermanisë me përjashtim nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit, Kosova për një javë e mori vendin e saj në samitin më të rëndësishëm rajonal. Kryeministri nënshkroi me homologët e tij për një plan të ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, të cilin e konsideroi si “një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi”. Kur kishte shkuar për herë të parë për vizitë zyrtare në Gjermani, Albin Kurti kushtëzonte që “për t’u realizuar Tregu i Përbashkët Rajonal duhet që Serbia t’i pranojë dokumentet e Republikës së Kosovës”. Thoshte se “nuk mund të kthehemi as para vitit 1999”.

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan të hënën në samitin e Procesit të Berlinit në Gjermani një plan të ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, marrëveshjen e nënshkruar në samitin e Sofjes në vitin 2020. Nënshkruan edhe një marrëveshje që u jep të drejtë studentëve që të studiojnë në institucionet e arsimit të lartë në rajon.

Arsimi i Lartë dhe Pranimi për Studime në Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje e re mobiliteti synon ta rrisë lëvizshmërinë e studentëve dhe t’u japë atyre të drejtën për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë të akredituar në rajon. Së bashku me marrëveshjet e lëvizshmërisë të nënshkruara në Samitet e Procesit të Berlinit në 2022 dhe 2023, kjo marrëveshje do ta rrisë më tej mundësitë për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për zbatimin e plotë dhe hyrjen në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të mobilitetit të nënshkruara më parë.

Një javë pasi e hoqi ndalesën për mallrat serbe për ta shmangur përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit, kryeministri Albin Kurti të hënën ishte në Berlin për ta përfaqësuar vendin në Procesin e Berlinit.

Në samit, ai tha se “Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi”.

“Një momentum i ri është fituar pas kapërcimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tash mund të përparojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazi në qendër dhe qytetarët si përfituesit e fundit”, tha Kurti.

Pas një takimi bilateral me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe të Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij, përfshirë këto që u nënshkruan dhe u dakorduan dje, siç tha zyra e tij në një komunikatë të lëshuar më pas.

Tregu i Përbashkët Rajonal, siç thuhet në deklaratën e liderëve të Ballkanit Perëndimor, synon “ta forcojë bashkëpunimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, në përputhje me rregulloret dhe standardet e BE-së”, si dhe “ta afrojë rajonin me BE-në dhe Tregun Unik të BE-së”.

Kurti në vitin 2022: Për t’u realizuar Tregu i Përbashkët Rajonal, Serbia duhet t’i pranojë dokumentet e Kosovës

Në maj të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvillonte vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin, ku ishte takuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Ai paraqiste nga atje një kusht për realizimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Tregu i Përbashkët Rajonal është thelb i Procesit të Berlinit. Jo zëvendësim për BE-në, por si përgatitje për të. Për t’u realizuar Tregu i Përbashkët Rajonal duhet që Serbia t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të mundësohet lëvizja e katërfishtë që paraqet vlerë të Bashkimit Evropian. Unë besoj që është koha e fundit që mbi Beogradin të bëhet trysnia që t’i pranojë dokumentet e Kosovës dhe në këtë mënyrë të qarkullojnë lirshëm kapitali e shërbimet e njerëzit dhe bashkarisht t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, i thoshte Kurti Deutsce Welle-s në një intervistë më 5 maj 2022.

I pyetur se a nuk ishte i gatshëm që ta bënte “një lëshim të vogël, qoftë për t’i dhënë shtysë bashkëpunimit”, Kurti insistonte se dokumentet e Republikës së Kosovës duhet të pranohen nga Serbia.

“Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, kur jemi çliruar e as para vitit 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë, as para vitit 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar Shpalljen e Pavarësisë dhe as para vitit 2012, kur ka përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare e Pavarësisë së Kosovës. Dokumentet janë të Republikës dhe ato duhet të pranohen si të tilla, por le të mos harrojmë që Sllovakia, Greqia dhe Rumania nuk e pranojnë shtetin tonë ende – shpresoj që kjo të ndryshojë së shpejti – por edhe kanë zyrë të tyre në Prishtinë dhe i pranojnë që të gjitha dokumentet. Pasaporta ime pranohet nga Greqia, Rumania dhe Sllovakia, e nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, së paku, si hap i parë le t’u bashkohet vendeve mosnjohëse që, siç dihet, janë pakicë”, shprehej ai.

Në hapje të samitit të djeshëm të Procesit të Berlinit, Scholz u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se për këtë do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

Gjermania e kërcënoi Kosovën me përjashtim nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit, dhe për ta shmangur këtë u mor vendimi për heqjen e ndalesës për mallrat serbe.

Qeveria e Kosovës i kishte ndaluar importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pasi tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin marrë nga forcat serbe. Më pas Beogradi i kishte lënë ata të lirë pas presionit ndërkombëtar.

Kryeministri i Serbisë e ka mirëpritur këtë vendim, duke konsideruar se ai e largon tensionin që ka ekzistuar për një kohë të gjatë.

Tash, Kosova përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Gjithsesi, pranë emrit të Kosovës do të vendoset një yll, ose fusnotë, që tregon se statusi i vendit nuk është zgjidhur përfundimisht.