I nderuar z. Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes,
E nderuara znj. Charlotte Hallengren, Drejtore për Operacione e Stafit Ndërkombëtar, Selia e NATO-s,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
I nderuari zëvendëskomandant i KFOR-it, Gjeneral-brigade Federico Collina,
I nderuar Drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Gjeneral-Brigade Dr. Sven Lange,
Të nderuar gjeneralë,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar atashe të mbrojtjes,
Të nderuar ushtarakë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi e veçantë t’ju drejtohem sot, në një moment që reflekton rrugëtimin tonë të përbashkët drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimit të partneritetit strategjik me aleatët tanë.
Republika e Kosovës ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare. Forca e Sigurisë së Kosovës është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm, dhe ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve tanë, për çfarë u jemi mirënjohës përherë.
Në këtë rrugëtim, roli i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) ka qenë thelbësor. Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
E në veçanti, në këtë periudhë të ndjeshme për sigurinë globale, e karakterizuar nga sfida të reja dhe dinamika të paparashikueshme, bashkërendimi i ngushtë me partnerët tanë strategjikë është më i rëndësishëm se kurrë.
Në këtë kuadër, prezenca e NATO-s në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), përbën një element kontribues jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të mbarë rajonit.
Si qeveri, ne i vlerësojmë lart këto arritje, të cilat dëshmojnë se bashkëpunimi ynë me NATO-n dhe mekanizmat e saj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i suksesshëm e me rezultate konkrete me ndikim në avancimin e sektorit të mbrojtjes. Njëkohësisht ky bashkëpunim forcon qëndrueshmërinë, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i yni, dhe progresi që po shënojmë sot e çdo ditë tjetër konfirmon se jemi në rrugën e duhur.
Sot, në mënyrë të veçantë, shprehim mirënjohjen tonë për kontributin e Drejtorit të Zyrës së NALT-it në Kosovë, Gjeneral Brigade Dr. Lange. Angazhimi i tij ka qenë i një rëndësie të posaçme në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s, si dhe në forcimin e kapaciteteve tona shtetërore në fushën e mbrojtjes.
Puna e tij ka lënë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në konsolidimin e institucioneve tona të mbrojtjes, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe kredibilitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa e falënderojmë për shërbimin e tij të çmuar, i urojmë suksese të mëtejshme në angazhimet e ardhshme, duke qenë të bindur se ai do të mbetet një mik i afërt i Republikës së Kosovës.
Jam po ashtu i bindur se pasardhësi i tij, Gjeneral Brigade, Thomas Schulte-Borghoff do të vazhdojë këtë mision me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm.
Këtu në Kosovë, në Republikën tonë demokratike do të gjeni një ambient miqësor e të ngrohtë, me institucione të dedikuara për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, lirisë dhe stabilitetit.
Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe përkrahjen tuaj të vazhdueshme.
Vielen Dank!



Të tjera
Nëse doni të jeni të shëndetshëm, largoni këto gjëra nga shtëpia
LVV kërkon nga Haxhiu emërimin e Nijazi Isakut anëtarë të KQZ-së
6 emrat e rekomanduar për votim në Kuvendin e Kosovës për dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese