Në Podujevë sot është përuruar Poliklinika Specialistike, një projekt shëndetësor që kap vlerën e rreth 2.43 milionë eurove. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e këtij investimi për qytetarët e komunës.
Kurti tha se objekti i ri do të ofrojë 15 shërbime specialistike, përfshirë edhe repartin e hemodializës, i cili ka filluar funksionimin një muaj më parë.
“Ky institucion shëndetësor do t’u mundësojë qytetarëve të marrin shërbime të specializuara pa qenë nevoja të udhëtojnë në Prishtinë. Vlera e përgjithshme e investimit është rreth 2.43 milionë euro dhe do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera në Podujevë, gjithmonë në të mirë të qytetarëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh se ky investim është dëshmi e realizimit të premtimeve të dhëna.
“Sot po i japim qytetarëve tanë 15 shërbime të reja në poliklinikë. Nuk do të kenë më nevojë të presin e të maltretohen në Prishtinë. Jemi të kënaqur që kemi krijuar një ambient modern me kushte dhe standarde bashkëkohore”, deklaroi Bulliqi.
Hapja e Poliklinikës pritet të lehtësojë qasjen në shërbime shëndetësore për mijëra qytetarë të Podujevës dhe rrethinës.



Të tjera
Pse krundet bëjnë mirë për zorrët
Punime të planifikuara, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten
Rexhaj: Është koha për institucione, qytetarët s’kanë kohë për të humbur