Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit vizitoi Kalanë e Prizrenit, me ç’rast njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të investojë afër 450 mijë euro në projektin për zhvendosjen e rezervuarit të ujit jashtë mureve të Kalasë.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri në detyrë Kurti tha se Qeveria se po i përgjigjet pozitivisht një kërkese për zhvendosjen e një infrastrukture të ujit jashtë hapësirës së kalasë, sepse ajo shkakton probleme të sigurisë.
“Bëhet fjalë për një instalim i cili është qysh para luftës së dytë botërore 1939-shit. Ndërkaq, në anën tjetër edhe kapaciteti është i vogël, është diku rreth 480 metra kub ujë, ndërkohë që me investimet e reja të cilat kapin vlerën prej afër 450 mijë euro, do të jetë më shumë se dyfishim i kapacitetit në 1000 metra kub”, tha ai.
Prononcimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:
Mirëdita të gjithëve,
Faleminderit shumë që keni ardhur këtu në Kalanë e Prizrenit, një ndër vendet më të bukura, të vendit më të bukur.
Këtu vijnë siç mësuam rreth pesë mijë vizitorë të cilët e kanë pritjen e organizuar nga institucionet tona, andaj edhe këtu jam bashkë me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevcin, zëvendësen e saj Nora Arapi Krasniqin, gjithashtu edhe me Institutin dhe me dy ministrat e tjerë me këtë rast ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri dhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për shkak se po i përgjigjemi pozitivisht një kërkese për zhvendosjen e një infrastrukture të ujit jashtë hapësirës së kalasë, sepse ajo shkakton probleme të sigurisë dhe në të njëjtën kohë nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për përpunimin e ujit për furnizimin e katër lagjeve të Prizrenit.
Bëhet fjalë për një instalim i cili është qysh para luftës së dytë botërore 1939-shit. Ndërkaq, në anën tjetër edhe kapaciteti është i vogël, është diku rreth 480 metra kub ujë, ndërkohë që me investimet e reja të cilat kapin vlerën prej afër 450 mijë euro, do të jetë më shumë se dyfishim i kapacitetit në 1000 metra kub.
Këtu jemi bashkë që të tregojmë mbështetjen tonë për Prizrenin, e në veçanti për Kalanë e Prizrenit, e cila është vend i turizmit kulturor siç po e shohim, jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve mbarë në rajon, por edhe e vizitorëve të huaj, disa prej të cilëve edhe i takuam derisa erdhëm këtu.
Andaj, mund të llogarisni në mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që Kalaja e Prizrenit të ketë investime, të ketë siguri dhe gjithnjë e më shumë vizitorë, të cilët edhe e mbështesin komunitetin ekonomikisht, por edhe na bëjnë nder për shkak se ne kemi shumë trashëgimi kulturore e historike që na bën krenar e njëkohësisht kemi dëshirë që këtë ta mësojnë edhe sa më shumë të huajt. Faleminderit.



Të tjera
Policia e Kosovës pret delegacion nga Sllovenia, diskutohet thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë
Rukola edhe më e mirë se spinaqi
Do të ketë më shumë raste të hantavirusit në javët e ardhshme, paralajmëron Shefi i OBSH-së