Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Xhandarmëria e Kosovës do të plotësojë boshllëkun midis Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Në një konferencë sot për mediat, Kurti tha se institucionet e Kosovës por edhe ato të huaja janë përballur me sulme të ndryshme në veri të Kosovës dhe themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e organizuar, është domosdoshmëri e kohës.
“Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak. Parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare si me mallra dhe emigrantë. Menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, thekoi Kurti.
Ai shtoi se Xhandarmëria do të themelohet në përputhje me sistemin kushtetues të vendit ndërsa themelimi i saj do të bëhet me miratimin e Ligjit të Veçantë nga Kuvendi i Kosovës, në Legjislaturën e 11-të, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
– “Vendi do të fokusohet në modelin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse”
Duke folur për shërbimin e detyrueshëm ushtarak të cilën e propozoi si ide gjatë vitit 2019, Kurti theksoi se në vend të tij, vendi do të fokusohet në modelin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, të cilën e ka cilësuar më të përshtatshëm për rrethanat aktuale të sigurisë.
Kurti ka thënë se, ndonëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak mbetet një opsion për të ardhmen, aktualisht është vlerësuar se modeli i mbrojtjes totale është më funksional.
“Në situatën në të cilën ndodhemi është shumë më e mençur të kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse apo mbrojtje totale. Një model i cili i ngjanë atij të Finlandës dhe vendeve baltike ku ti nuk e bën ushtrinë një grumbull të madh njerëzish dhe pastaj duhet ta strukturosh e ta pajisësh, por, në vend të kësaj përcakton funksione, detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët e Republikës në rast të rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore deri tek lufta e armatosur”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se kjo qasje plotësohet edhe me një program të edukimit për siguri në shkolla të mesme, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë, që synon t’i përgatisë të rinjtë për reagim në raste emergjente.
Kurti përmendi edhe krijimin e rezervës vullnetare, e cila do t’u mundësonte qytetarëve që të bëhen rezervistë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me pajisje të gatshme në dispozicion në rast nevoje.



Të tjera
U.D e presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në 27-vjetorin e të rënëve të familjes Kastrati
100 eurot, hapet aplikimi për punëtorët e sektorit privat
5 ushqimet që ulin “yndyrën” në gjak në mënyrë natyrale