Dështimi i 33’të në Kuvend, Kushtetuesja thotë se po i “shqyrton të gjitha aspektet e çështjes”: Njoftojmë me kohë

Kushtetuesja bllokon Qeverinë, flasin nga Instituti Demokratik i Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë të përkohshme që ka tronditur skenën politike në vend.

Me vendim unanim, gjykata ua ndalon deputetëve të ndërmarrin çfarëdo veprimi që lidhet me procesin e formimit të Qeverisë së re, duke pezulluar çdo procedurë që mund të çojë drejt krijimit të ekzekutivit të ri.

Ky vendim vjen në një moment kur partitë politike janë në pritje të përfundimit të procedurave të brendshme dhe kur negociatat për koalicionin janë në pikën më kritike.

Vendimi i Kushtetueses nuk është thjesht një pezullim teknik, por krijon një ngërç që mund të zgjasë dhe të ndërlikojë situatën politike në vend.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme është i nevojshëm dhe i dobishëm.

Sipas tij, masa siguron që proceset politike të mos zhvillohen në kundërshtim me Kushtetutën dhe mbron stabilitetin institucional, pa penguar funksionimin demokratik të institucioneve.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme është i nevojshëm dhe i dobishëm sepse garanton që proceset politike të mos zhvillohen në kundërshtim me Kushtetutën.

Kjo masë nuk e pengon funksionimin demokratik të institucioneve, por përkundrazi e ruan atë, duke siguruar që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës të mos ndërmerren veprime që mund të prodhojnë pasoja të pariparueshme. Në këtë kuptim, masa është një instrument mbrojtës për rendin kushtetues dhe stabilitetin institucional të vendit” – shpejgon ai për “Bota sot”.