Prebreza: LDK ka koalicion në heshtje me Listën Serbe në Fushë-Kosovë

LDK ka koalicion në heshtje me Listën Serbe në Fushë-Kosovë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë Komunë ka bashkëpunim të fshehtë me Listën Serbe, përtej koalicionit të sapoarrirë me Partinë Demokratike të Kosovës për balotazhin e 9 nëntorit.

Në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Prebreza tha se rezultatet zgjedhore te asamblisti i LDK-së, dëshmojnë se ekziston një “koalicion në heshtje” mes LDK-së dhe Listës Serbe.

“Lidhja Demokratike nuk ka koalicion vetëm me Partinë Demokratike, por edhe me Listën Serbe. Kjo nuk është e formalizuar, mirëpo votat e tregojnë qartë një gjë të tillë. Në qendrat ku Lista Serbe ka marrë shumicën e votave për asamble, kandidati i LDK-së ka fituar mbi 83 për qind. Do të thotë se kemi të bëjmë me një bashkëpunim të heshtur politik,” deklaroi Prebreza.

Ai shtoi se për vite me radhë, përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës kanë qenë pjesë e vendimeve kryesore të qeverisjes lokale, duke e bërë bashkëpunimin midis dy subjekteve “të dukshëm, por të pa shpallur publikisht”.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për ta mbështetur kandidatin Besnik Osmani, në raundin e dytë të zgjedhjeve në Fushë-Kosovë.

Në balotazh, Osmani do të përballet me Prebrezën.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, të mbajtura më 12 tetor, Prebreza doli i pari me 45.15% të votave, ndërsa Osmani i dyti me 36.66%. I treti ishte Rrahim Tërnava i PDK-së me 16.15% të votave. /teve1.info/