Të hënën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me Presidenten Vjosa Osmani për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.
Gjatë takimit, Abdixhiku u informua për iniciativën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për themelimin e Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, si dhe përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Në fotografitë e takimit, të publikuara nga kreu i LDK-së, u pa një afërsi e theksuar mes tij dhe Osmanit pas një kohe të gjatë.
Ky takim u zhvillua në kohën kur çështja e zgjedhjes së presidentit të ri është në qendër të diskutimit publik, pasi mandati pesëvjeçar i Osmanit përfundon më 7 prill.
Diferencën në këtë situatë pritet ta bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që edhe para pesë vitesh kishte qëndruar në sallë kur Osmani u zgjodh presidente.
Analisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar arsyet pse Vjosa Osmani meriton edhe një mandat në krye të presidencës.
“Dr. Vjosa Osmani, për rreth pesë vite të ushtrimit me përkushtim maksimal të detyrës së presidentes, e ka dëshmuar në vepër se është personaliteti më meritor politik për përfaqësimin dinjitar dhe afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë të pavarur, në politikën e jashtme dhe arenën botërore, përkatësisht rizgjedhjen e saj, me aklamacion, pa dallim bindjeje politike e përkatësie partiake, për të parën e vendit edhe për një mandat pesëvjeçar.
Presidentja aktuale ka zhvilluar një politikë të jashtme shumë largpamëse dhe diplomaci tejet afirmative kudo në botë, duke kultivuar miqësi të jashtëzakonshme me figurat më të larta politike e institucionale evropiane dhe ndërkombëtare, që nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shtetet kryesore të BE-së si Gjermania, Franca, Italia etj., dhe ka përfaqësuar shtetin e ri të Kosovës me sukses të padiskutueshëm në të gjitha takimet evropiane e botërore, duke arritur në minutat e fundit vendimmarrëse që, në bisedime të drejtpërdrejta me Kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, t’i largojë të gjitha masat ndëshkuese të BE-së ndaj vendit tonë dhe të sjellë vetëm në vitin që lamë pas edhe katër njohje të reja për shtetin e pavarur të Kosovës, sukses i cili mund të jetë ëndërruar, por nuk ka mundur askush ta imagjinojë se do të realizohet për kohë kaq të shkurtër dhe në rrethanat e trazuara aktuale mbarëbotërore.
“Sa i takon votimit për presidenten e vendit, ç’është e vërteta, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka mbështetur zgjedhjen e dr. Vjosa Osmanit për presidente të Republikës edhe në mandatin e parë, kështu që, duke qenë se ai lidhet edhe familjarisht me bashkëshortin e Presidentes, besoj se qëndrimi i njëjtë do të përsëritet edhe me rastin e votimit të radhës dhe, në kuadër të diskutimit për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes, që nën organizimin e administratës së presidentit Donald Trump, për herë të parë pritet të mblidhet më 19 shkurt në Uashington, është biseduar edhe për rivotimin nga LDK-ja të dr. Vjosa Osmanit për Presidente”, është shprehur Qarri.
Sipas Qarrit, kjo gjë vërehet edhe në fotot e publikuara nga kreu i LDK-së. Po ashtu, ai shpreson se edhe Ramush Haradinaj dhe AAK-ja do ta mbështesin Osmanin në rizgjedhjen e saj si presidente.
“Në fakt, presidentja ka dhënë maksimumin e angazhimit për vendin tonë, ndaj ka të tillë që ndoshta mund ta xhelozojnë nga smira për arritjet e saj, por nuk mund ta akuzojë askush për asgjë dhe me asnjë argument për mossuksese, kështu që ajo, përveç me Abdixhikun, është takuar edhe me Ramush Haradinajn, i cili gjithashtu, besoj se përpos pjesëmarrjes së Kosovës në Bordin e Paqes, në zgjedhjet e fundit ka marrë mend dhe do ta mbështesë edhe votimin pro për presidenten, siç do të duhej të vepronin edhe partitë e tjera politike, derisa ajo është angazhuar kaq shumë në këto pesë vite për afirmimin diplomatik dhe avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, ka nënvizuar ai.
Sipas Qarrit, Osmani mund ta kërkojë ballëhapur edhe një post për presidente, duke marrë parasysh sukseset në përfaqësimin, reprezentimin dhe afirmimin e vendit tonë në botë.
“Kështu që dr. Vjosa Osmani, si zëri unik i popullit, është ballëhapur ta kërkojë mbështetjen e secilit dhe nga të gjitha subjektet politike pa dallim, mbështetje që medoemos duhet t’i ofrohet si personaliteti më meritor edhe për të mirën e Kosovës, ngase, duke pasur parasysh sukseset në përfaqësimin, reprezentimin dhe afirmimin e vendit tonë në botë, nuk ka shkak as arsye të mungojë mbështetja maksimale dhe e pakushtëzuar e partive politike për votimin e dr. Vjosa Osmanit edhe në mandatin vijues për presidente.
Ndryshe, nesër (e mërkurë, 11 shkurt) do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.



Të tjera
Vizita e presidentit turk tregoi forcën e marrëdhënieve dypalëshe
Gallup: Kosova ndër 5 shtetet me mendimin pozitiv për Trumpin, Serbia vlerëson më së shumti Putinin
Bislimi: Ligji për të huajt nuk do të përdoret si presion ndaj serbëve