Luftë hibride ndaj Kosovës? Eksperti paralajmëron skenarë të rrezikshëm para zgjedhjeve të 7 qershorit

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë po zhvillohen në një klimë të ndjeshme politike dhe të sigurisë, ku vazhdimisht ngrihen shqetësime për ndikime të jashtme, veçanërisht nga Serbia. Përveç tensioneve politike, ekziston frika edhe për sulme kibernetike, fushata dezinformuese, presione ndaj komuniteteve lokale dhe incidente që mund të synojnë destabilizimin e procesit zgjedhor të 7 qershorit.

Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i cili theksoi se zgjedhjet, përveçse janë një proces demokratik dhe politik, tashmë përbëjnë edhe një çështje të sigurisë kombëtare.

Sipas tij, ekziston rreziku i propagandës dhe sulmeve kibernetike nga Serbia, ndaj institucionet e sigurisë duhet të jenë në gatishmëri të plotë.

Image

Fatjon Softa

“Zgjedhjet në Kosovë nuk mund të analizohen sot vetëm si një proces politik apo demokratik i brendshëm. Ato janë kthyer edhe në një çështje sigurie kombëtare dhe stabiliteti rajonal, sidomos në kushtet e tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova mbetet veçanërisht e ndjeshme për shkak të situatës në veri, narrativave nacionaliste dhe interesit që Serbia ka për të ruajtur ndikimin politik dhe psikologjik tek komuniteti serb në Kosovë. Për këtë arsye, institucionet e sigurisë duhet të jenë në gatishmëri të plotë, jo vetëm në terren, por edhe në aspektin kibernetik dhe informativ”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Softa tha se rreziku mund të vijë në forma të ndryshme, jo vetëm si një skenar klasik për destabilizim.

Për këtë ai, më poshtë përmendi edhe disa nga format më të sofistikuara të ndikimit në një proces zgjedhor, ku për këtë kërkoi koordinim të institucioneve me ndërkombëtarët.

“Rreziku nuk duhet parë domosdoshmërisht si një skenar klasik destabilizimi me incidente të mëdha. Sot ndikimi mund të vijë në forma më të sofistikuara:

– tentativa për të ulur besimin tek procesi zgjedhor;

– tensionim artificial i situatës në veri;

– sulme kibernetike ndaj institucioneve;

– apo nxitje të polarizimit politik e etnik.

Prandaj, zgjedhjet e 7 qershorit 2026 kërkojnë një koordinim të fortë mes Policisë së Kosovës, institucioneve të inteligjencës, autoriteteve zgjedhore dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në këto raste, parandalimi është po aq i rëndësishëm sa reagimi”.

Ndër të tjera, eksperti shtoi se, duke parë zhvillimet gjeopolitike në Ballkan dhe faktit se Kosova po shkon në një cikël të ri zgjedhor, vigjilenca e institucioneve të sigurisë mbetet e domosdoshme.

“Nga ana tjetër, është e rëndësishme që çdo shqetësim të trajtohet me profesionalizëm dhe jo me panik politik. Institucionet duhet të transmetojnë siguri dhe kontroll të situatës, sepse një nga objektivat kryesore të çdo ndikimi të jashtëm është pikërisht krijimi i pasigurisë psikologjike dhe humbja e besimit të qytetarëve tek procesi demokratik.

Kosova ka kaluar procese shumë më të vështira dhe ka ndërtuar mekanizma më të fortë sigurie krahasuar me vite më parë. Megjithatë, në klimën aktuale gjeopolitike në Ballkan, vigjilenca mbetet e domosdoshme”, përfundoi Fatjon Softa