Lugina e Preshevës shënon 26-vjetorin e daljes publike të UÇPMB-së

Lugina e Preshevës shënon 26-vjetorin e daljes publike të UÇPMB-së

Me homazhe dhe vendosje kurorash lulesh në varrezat e dëshmorëve në Dobrosin, Lluçan dhe Tërnoc, qytetarë nga Lugina e Preshevës, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues institucionalë shënuan 26-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

Në këtë përvjetor u kujtua se UÇPMB-ja doli në skenë më 26 janar në Dobrosin dhe u shtri në gjithë Luginën si një forcë vullnetare e organizuar për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nga represioni i regjimit të Millosheviqit.

Kjo datë u cilësua si një kthesë historike, jo vetëm për organizimin e qëndresës, por edhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, theksoi se kjo ditë është simbol i sakrificës dhe krenarisë kombëtare, duke nënvizuar se dëshmorët dhe martirët që ranë për liri mbeten themel i qëndresës dhe obligim i përhershëm për ruajtjen e historisë, vlerave dhe idealit për të cilin u flijuan.Përvjetori u shënua edhe me përkujtimin e vrasjes së Isa dhe Shaip Saqipit në Dobrosin, të cilët u ekzekutuan nga policia serbe teksa po ktheheshin nga mali me dru për familjet e tyre.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, vlerësoi se rënia e tyre nuk e shtoi frikën, por e zgjoi qëndresën, duke e kthyer 26 janarin në një datë që shënoi lindjen e një zëri të guximit, dinjitetit dhe lirisë për shqiptarët e Luginës.

“Sot kujtojmë vrasjen e Isa dhe Shaip Saqipit në Dobrosin. Të pafajshëm. Të ekzekutuar vetëm pse ishin shqiptarë. Po ktheheshin nga mali, me dru për familjet e tyre. U vranë nga duar që ende mbanin gjurmët e krimeve në Kosovë. Me rënien e tyre nuk u shua frika, u zgjua qëndresa. 26 janari u bë kthesë historike – doli në skenë Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha Sinani.

Në të njëjtën linjë, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, tha se kjo periudhë mbart njëkohësisht dhimbje dhe krenari, pasi nga padrejtësia dhe dhuna u ngrit një rezistencë e organizuar që e futi Luginën e Preshevës në agjendën ndërkombëtare.Ai theksoi se UÇPMB-ja u bë zëri që nuk mund të heshtte më, duke përmendur edhe rënien e luftëtarëve si Besim Faiku, të cilët, sipas tij, e bënë të dëgjohet zëri i Luginës në botë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, vlerësoi se 26-vjetori i daljes në skenë të UÇPMB-së përfaqëson një moment kyç për dinjitetin kolektiv të shqiptarëve të Luginës.

Ai theksoi se derisa në Dobrosin po shënohej përvjetori i daljes publike të UÇPMB-së, forcat serbe në Tërnoc vranë dëshmorin Besim Faiku. Sipas tij, këto ngjarje mbartin dhimbje të thellë, por edhe japin shpresë se gjaku i dëshmorëve është baza e një të ardhmeje më të drejtë për këtë rajon.

Këtë ditë e përkujtoi edhe njëri nga luftëtarët e ditës së parë të luftës në Luginë, komandanti Sami Azemi. Ai kujtoi se pas represionit dhe terrorit të forcave serbe në Luginë, doli në skenë UÇPMB-ja si forcë mbrojtëse e popullatës shqiptare.

“Më 26 janar të vitit 2000, një grup i vogël bashkëluftëtarësh, me zemër të madhe dhe ideal të pastër, dolën në skenë për të mbrojtur popullatën e pambrojtur. Lufta e UÇPMB-së ishte zëri i një populli që refuzoi të nënshtrohej; ishte thirrja e ndërgjegjes kombëtare për drejtësi, barazi dhe liri”, tha Azemi.

Duke nderuar dëshmorët e kombit, Azemi theksoi se sot, përballë sakrificës së UÇPMB-së, spektri politik në Kosovë dhe në Luginë nuk ka të drejtë të heshtë, të përçahet apo të harrojë. “Ata që luftuan nuk pyetën për parti, por për atdhe. Prandaj, çdo politikë që e lë Luginën në harresë është tradhti ndaj idealit për të cilin u derdh gjak”, deklaroi Azemi, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇPMB-së.

Në përfundim të homaxheve dhe reagimeve u ritheksua se kjo ditë mbetet simbol krenarie, qëndrese dhe kujtese të përjetshme për dëshmorët dhe martirët që ranë për liri, dinjitet dhe të ardhmen e Luginës së Preshevës.

Kujtojmë se Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) ishte një formacion i armatosur shqiptar që veproi në Luginën e Preshevës gjatë viteve 2000–2001. Ajo u formua në rrethana të represionit të vazhdueshëm politik, policor dhe ushtarak ndaj popullsisë shqiptare në jug të Serbisë, pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Dalja publike e UÇPMB-së u shënua më 26 janar 2000 në fshatin Dobrosin, pas vrasjes së civilëve shqiptarë Isa dhe Shaip Saqipi nga policia serbe. Ky moment konsiderohet si pikë kthese në organizimin e rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me synim mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe pronës së popullsisë vendase.

UÇPMB-ja veproi kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në zonën kufitare me Kosovën. UÇPMB ishte një forcë mbrojtëse dhe jo agresive, me kërkesa për siguri, barazi dhe respektim të të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve në Luginë.

Konflikti në Luginën e Preshevës u ndërkombëtarizua gjatë vitit 2001, duke tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Nën ndërmjetësimin ndërkombëtar u arrit Marrëveshja e Konçulit në maj të vitit 2001, e cila edhe sot e kësaj dite nuk  respektua nga Serbia.