Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigracionin, reagon presidenti i KiE: Mos kini frikë nga risitë, duhen mënyra konkrete

“Unë mendoj që ne nuk duhet të kemi frikë të shohim mënyra operacionale, mënyra konkrete për të qenë më efektivë në drejtim të menaxhimit të migracionit”. Këtë e tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë për European Newsroom, duke iu përgjigjur pyetjeve për pikat e nxehta të riatdhesimeve, të publikuar nga Ansa.

Për sa i përket më konkretisht protokollit Itali-Shqipëri, ai tha se nuk do të ndërhyrjë në debatin e brendshëm italian, por se duhet të shqyrtohen modalitetet konkrete.

“Unë nuk dua të ndërhyj në debatin e brendshëm në Itali, por duhet të shqyrtojmë se cilat janë modalitetet konkrete dhe nuk dua të them se pikat e nxehta në Shqipëri janë të mira apo jo”, tha Michel, transmeton A2.

Sipas Michel, gjithçka varet “nga cilat modalitete konkrete do të gjenden zgjidhjet e reja dhe nga mënyra se si mund të zbatohen parimet e së drejtës ndërkombëtare, dhe në këtë aspekt do të duhet të hyjmë në detaje, sepse ka elemente të rëndësishme që kanë rol, si “proporcionaliteti i masave”.

Në përgjithësi, sipas Michel, atmosfera brenda Këshillit Evropian tani ka ndryshuar kur bëhet fjalë për imigracionin, shkruan A2.

“Mund t’ju them se debati i fundit që patëm javën e kaluar ishte shumë, shumë interesant, tani ka një konvergjencë më të madhe në idenë se duhet të luftojmë imigracionin ilegal, sepse nuk mund t’i lejojmë kontrabandën dhe trafikantët të vendosin kush mund të hyjë në Bashkimin Evropian, por edhe nevojën për rritjen e rrugëve legale të hyrjes”, theksoi ai.

Ai sjell në vëmendje vitin 2016, ku thekson se kishte një mungesë totale besimi midis liderëve.

“Në vitin 2016 kishte një mungesë totale besimi midis liderëve. Nuk ishte absolutisht e mundur të bëhej një bisedë racionale për migracionin. Kishte fyerje dhe mosbesim. Ishte kaos total dhe u deshën disa vite për t’u rikthyer. Besimi brenda Evropës dhe besimi ishin shkatërruar për shkak të mënyrës se si migrimi nuk u trajtua brenda Këshillit Evropian”.

Michel më pas tha se migrimi është një sfidë politike, sepse ndonjëherë keqpërdoret nga disa grupe politike apo parti politike për të dobësuar projektin evropian, raporton A2.

“Unë jam pro një koordinimi më të madh evropian për konceptin e vendeve të sigurta dhe ka gjithnjë e më shumë konsensus për këtë ide që, pavarësisht këtij vendimi kombëtar, ne duhet të bashkëpunojmë dhe të hyjmë në më shumë detaje. Duhet të bëjmë gjithçka që të mos bëhemi muzeu i botës. Jemi në një pikë kthese dhe është vërtet e rëndësishme për të ardhmen të ruajmë të njëjtin nivel ambicie që kishim në të kaluarën, të njëjtin pasion për projektin europian”, shtoi ai.

Duke treguar raportin Letta dhe raportin e Draghi si “vendimtar”, Michel shpreson që në Këshillin e ardhshëm Evropian liderët t’i japin dritën jeshile lindjes së Bashkimit të Kapitaleve

“Ne duam më shumë sovranitet, duam më shumë ndikim në botë,” shtoi ai, duke treguar raportin Letta dhe raportin e Draghi si “vendimtar”. “Shpresoj që në Këshillin e ardhshëm Evropian, udhëheqësit, t’i japin dritën jeshile lindjes së Bashkimit të Kapitaleve,” tha ai.