Kosova nuk i lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë. Kjo gjë ishte paraparë të rregullohej me Projektkodin Civil, i cili nuk ka marrë mbështetje në Kuvendin e Kosovës.
Mospajtimet e deputetëve mbi këtë dokument lidhen me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” mes personave me gjini të njëjtë.
Si nga krerët e bashkësive fetare në Kosovë, Projektkodi Civil është kundërshtuar edhe nga disa deputetë, të cilët argumentojnë se janë kundër tij pasi që duan t’i mbrojnë “vlerat e familjes”.
Por, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, teksa flet si motra e një burri homoseksual, thotë se “në asnjë mënyrë, me asgjë nuk do ta rrezikoja dashurinë dhe mbështetjen për vëllain në shkëmbim të të qenët si shumica”.
Në një podkast të REL-it, ajo shprehet krenare me të arriturat e vëllait në jetën profesionale, por edhe me familjen e tij që ka me bashkëshortin dhe vajzën e tyre.
Duke folur rreth votimit të Projektkodit Civil, ajo thotë se me votat aktuale që ka pozita, pamundësohet kalimi i tij, por shprehet e bindur se deputetët do të gjejnë “forcën dhe guximin njerëzor dhe politik” për t’i kthyer në ligj të drejtat që, sipas saj, askush nuk mund t’i cenojë.
Ndryshe, në një raport të publikuar në mars të këtij viti, nga Spartacus Gay Travel Index, Kosova renditet si vendi më pak mikpritës për personat e komunitetit LGBTI+ në mesin e vendeve të Ballkanit dhe më keq se vendet e Bashkimit Evropian.
Të tjera
Zbulohen detajet, emigrantët e parë në Gjadër janë nga Bangladeshi dhe Egjipti
Dodik reagon pasi Kurti liberalizoi lëvizjen e qytetarëve të Bosnjes me Kosovën
“Duhet me pjellë atë njeri”, Jeton Buquku e mohon rastin e dhunës ndaj një personi në lokalin e tij – Pamjet