Me ngjyrat e flamurit amerikan u ndriçu ndertesa e Qeverisë, ndërsa Kurti uroi SHBA-në me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë

Me ngjyrat e flamurit amerikan u ndriçu ndertesa e Qeverisë, ndërsa Kurti uroi SHBA-në me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke e cilësuar Deklaratën e Pavarësisë amerikane si një dokument me vlera universale që vazhdon të frymëzojë popujt në mbarë botën.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi se më 4 korrik 1776 u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, akt që shënoi lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendosi në themel të shtetit të ri parimet e lirisë, barazisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.

“Një deklaratë pavarësie, shikuar si ngjarje historike, ndodh në një kohë dhe vend të caktuar. Sot, pra, festojmë përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive të Britanisë së Madhe, pas kuvendimeve në Dhomën e Asamblesë të Parlamentit Shtetëror të Pensilvanisë në qytetin e Filadelfisë, nënshkroi përfundimisht Deklaratën e Pavarësisë. Kështu, me atë datë të famshme, lindi një shtet i ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.

Mirëpo, siç tha Kurti deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, në përmbajtjen e saj, ka një rëndësi dhe domethënie të veçantë, e cila shkon përtej datës dhe vendit ku u miratua.

” ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë’. Duke u thirrur në këto vlera dhe të drejta universale, të pakufizuara në kohë dhe hapësirë, ajo që sot quhet ‘Fryma e ’76-ës’ ka mundur jo vetëm të mbijetojë, por edhe të jetojë, fuqishëm, në mendjet dhe zemrat e patriotëve të çdo epoke dhe çdo populli”, tha Kurti