Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e pranon se konsultohet me Dejona Mihalin: “Të gjithë e bëjnë”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se konsultohet me Dejona Mihalin, e cila zyrtarisht ka pozitën e Koordinatores së Komiteteve të Lëvizjen Vetëvendosje, madje ka theksuar se të gjithë e bëjnë.

Dejona Mihali më 20 shkurt u intervistua nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), apo siç njihet rasti i Nagip Krasniqit.

“Si nuk është normale me nejt me Dejonën. Unë s’kam kohë sa duhet me Dejonën”, tha fillimisht Sveçla për këtë çështje në një intervistë për “Kallxo.com”.

Por, kreu i MPB-së theksoi se nuk merr urdhra nga Mihali.

“Unë konsultohem me Dejonën absolutisht, jo vetëm unë të gjithë”, shtoi.

Me superlativa për Mihalin ka folur të premten edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në pyetjen e gazetarit, Fidan Jupolli, se mos po i shkruan Dejona Mihali sa ajo ishte duke dhënë intervistë për emisionin “DPT TE FIDANI” në Klan Kosova, meqë kjo e fundit shikonte herë herë telefonin, Haxhiu tha se ajo “ndjehet shumë mirë” kur Dejona i dërgon mesazh.

“Unë shumë ndjehem mirë kur më shkruan Dejona”, tha ajo.

Mihali, sipas Haxhiut, është personi që brenda partisë i ka ndihmuar asaj më së shumti.

“Gjatë gjithë kohës sa kam qenë deputete, sa kam qenë ministre, që nuk ta mbyllë asnjëherë derën, që gjithmonë të gjendet është Dejona Mihali”, shtoi Ministrja.

Në pyetjen e Jupollit për ta përshkuar karakterin e Mihalit, Haxhiu vlerësoi se Dejona është “grua shumë e zonja”.

“Unë e dua shumë. Është shumë grua e guximshme, është shumë profesioniste, është shumë punëtore, është shumë bashkëpunëtore”, tha ajo.

Haxhiu madje potencoi se opozita aktuale në Kosovë e ka zili LVV-në për shkak të Mihalit.

“Sikur të kishim pas edhe dy ose tri Dejona. Të gjithë na kanë zili për Dejonën, edhe opozita. Me pas njerëz të mençur në parti politike, me pas njerëz që nuk lodhën kurrë, që janë shumë bashkëpunues, kjo është vlerë”, shtoi ajo