Peci: Mitrovica do të bëhet me spital të ri

Mitrovica do të bëhet me spital të ri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se qyteti do të bëhet me spital të ri, përcjell KosovaPost. 

Ai ka njoftuar se të enjten ka pritur në takim ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin ka diskutuar për gjendjen e sektorit të shëndetësisë dhe projektet që Ministria e Shëndetësisë planifikon t’i realizojë në Mitrovicë.

Sipas Pecit, në fokus të diskutimeve ka qenë ecuria dhe dinamika e projektit për ndërtimin e spitalit të ri.

Ai ka theksuar se implementimi i projektit do të nisë sapo të formohet qeveria e re.

Postimi i plotë:

Mitrovica do të bëhet me spital të ri.

🤝 Sot mirëprita në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia. Diskutuam në lidhje me sektorin e shëndetësisë, posaçërisht për projektet që do të realizohen në Mitrovicë nga kjo ministri si dhe për ecurinë dhe dinamikën e realizimit të projektit për ndërtimin e spitalit.

🏥 Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo Qeveria Kurti 3 të formohet.

Gjithashtu, u shqyrtua mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të QKMF-së.

✅ Komuna e Mitrovicës do t’i kryejë të gjitha obligimet që i përkasin, në mënyrë që ky projekt madhor të jetësohet sa më parë.