Mjeku i Danimarkës jep lajme pozitive për Christian Eriksen: Gjendja e tij është stabile – Ekonomia Online

Mjeku i Danimarkës jep lajme pozitive për Christian Eriksen: Gjendja e tij është stabile

Christian Eriksen ka kaluar momente shqetësuese, duke ngritur alarm te tifozët dhe bashkëlojtarët e tij. Futbollisti danez u transportua menjëherë në spital pas një problemi shëndetësor të pësuar gjatë miqësores, ndërsa lajmet e fundit konfirmojnë se gjendja e tij është stabile.

Lajmin e ka bërë të ditur doktori i përfaqësueses së Danimarkës, Morten Boesen, i cili ka siguruar se mesfushori është jashtë rrezikut dhe po rikuperohet pranë familjes së tij.

“Fola këtë mëngjes me Christianin, ai është shumë mirë. Tani është me familjen e tij. Së shpejti do të largohet nga spitali dhe do të rikthehet në shtëpi”, thuhet në njoftimin e mjekut të kombëtares daneze transmeton Klankosova.tv.

Eriksen ka përjetuar edhe më parë probleme serioze me zemrën, pasi pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes së Danimarkës në Kampionatin Evropian të vitit 2021, një ngjarje që tronditi botën e futbollit. Që atëherë, ai është rikthyer në fushë dhe ka vazhduar karrierën në nivelet më të larta të futbollit.