MPJ jep lajmin: Serbia ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të Faton Hajrizit

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se Prokuroria e Qarkut në Beograd sot ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të një qytetari të Kosovës që dyshohet të jetë vrarë në Lloznicë të Serbisë, e që besohet të jetë trupi i Faton Hajrizit.

“Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Më herët gjatë ditës, avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci e ka konfirmuar se trupi i pa jetë në morgun e Lloznicës është i Faton Hajrizit.

Koci tha se atij i është lejuar që ta shohë trupin e tij dhe se sipas tij “mbetet tash edhe ekspertët tanë ta konfirmojnë”.

Në këtë përfundim, autoritetet serbe erdhën pasi morën strishon e nënës së Faton Hajrizit në mënyrë që të mund të bëjnë identifikimin e trupit të pajetë.