Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, njëherësh nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas ka zhvilluar një vizitë në Ballkan.
Kallas në vizitën e saj arriti të përçoi mesazhe të fuqishme nga BE për vendet e Ballkanit.
Ajo gjatë vizitës në Beograd deklaroi se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.
Kallas tha se me zyrtarë të lartë serbë bisedoi për anëtarësimin në BE, dialogun e Brukselit dhe çështje të tjera.
Ajo theksoi se përparimi duhet të ndodhë “këtu në Beograd” dhe shtoi se hapat e radhës që Serbia duhet t’i ndërmarrë janë shumë të qartë, dhe ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformat zgjedhore.
Kallas nënvizoi se lidhjet e Serbisë me fqinjin e saj, Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por janë “vendimtare” për të ardhmen e Serbisë në BE.
Gjithashtu shtoi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.
A tregon kjo deklaratë e Kaja Kallas një qëndrim më të ashpër të BE-së ndaj Serbisë dhe një kushtëzim më të qartë për përparimin e saj drejt anëtarësimit duke përfshirë këtu edhe një marrëveshje me Kosovën?
Voca: Nevojitet një angazhim më i thellë, më konsistent dhe më i koordinuar nga BE-ja, i shoqëruar me presion të drejtpërdrejtë politik dhe diplomatik ndaj Serbisë
Në lidhje me këtë temë ka folur doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Ai vlerëson deklaratën e Kallas duke e parë qëndrim të nevojshëm edhe pse të vonuar.
Sipas tij, përveç kësaj duhet një angazhim më i thellë dhe më i koordinuar nga BE-ja i shoqëruar me presion të drejtpërdrejtë politik dhe diplomatik ndaj Serbisë.
“Deklarata e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, shënon një nisje të mirë dhe një ton më të prerë nga Bashkimi Evropian në raport me Serbinë. Ajo e bën të qartë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk është thjesht një aspekt teknik i dialogut, por një kusht vendimtar për të ardhmen evropiane të Serbisë.
Ky qëndrim është i nevojshëm dhe i vonuar, por nuk mjafton. Nevojitet një angazhim më i thellë, më konsistent dhe më i koordinuar nga BE-ja, i shoqëruar me presion të drejtpërdrejtë politik dhe diplomatik ndaj Serbisë. Sepse Serbia, ndryshe nga shumica e shteteve të tjera në rajon dhe nuk ka demonstruar me vepra një orientim të sinqertë drejt integrimit evropian. Përkundrazi, ajo vazhdon të ushqejë një frymë nacionaliste dhe të mbajë gjallë një agjendë të orientuar drejt Rusisë”, u shpreh ai.
Më tej, Voca shpjegon disa nga rastet që Serbia nuk ka demontruar me vepra një orientim të sinqertë ndaj integrimit evropian.
“Kjo reflektohet përmes:
– mosrespektimit të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe refuzimit për t’u rreshtuar me qëndrimin e saj ndaj Rusisë;
– lidhjeve të ngushta me Kremlinin, të demonstruara përmes takimeve dhe eventeve të përbashkëta mes Vuçiq dhe Putinit;
– mbështetjes për tendenca separatiste në Bosnjë, përmes Republikës Serbe, duke rrezikuar integritetin territorial dhe paqen e brishtë të këtij shteti;
– pretendimeve territoriale ndaj Kosovës, përmes promovimit të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe me fuqi ekzekutive, një model i papranueshëm që ngjason me zhvillimet në Bosnjë”, shpjegoi Voca.
Serbia vazhdon të refuzojë kërkim-faljen për krimet e luftës
Tutje, doktori i çështjeve ndërkombëtare përmend edhe çështjen e krimeve të luftës nga Serbia që mungon kërkim falja nga ajo.
“Në këtë kontekst, është me rëndësi të theksohet se maksimumi që eventualisht do të mund të ofrojë Kosova është një asociacion me karakter kulturor dhe simbolik, brenda sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës (madje kjo duhet kalojë nga Gjykata kushtetuese). Çdo kompetencë në fusha si drejtësia, siguria apo politika fiskale duhet të mbetet ekskluzivisht në duart e institucioneve të Kosovës.
Për më tepër, Serbia vazhdon të refuzojë kërkim-faljen për krimet e luftës, nuk ka bërë progres në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, dhe ende e përfshin Kosovën në Kushtetutën e saj si pjesë të territorit serb, një qëndrim që mohon realitetin dhe sovranitetin e një shteti fqinj”, thotë ai.
Ndër të tjera ai nënvizon bashkëbisedimin duke thënë që Serbia duhet të shkëputet nga agjenda ruse nëse dëshiron të ecë drejt Bashkimit Evropian.
“Për gjithë këto arsye, është e vështirë të besohet se politika serbe ka ndryshuar realisht kurs, sidomos kur kjo politikë vazhdon të dominohet nga të njëjtat figura të stërvjetëruara që datojnë nga vitet ’90. Për të pasur një rrugëtim të sinqertë drejt BE-së, Serbia duhet të shkëputet përfundimisht nga agjenda ruse, të mbyllë kapitullin e së kaluarës konfliktuoze dhe të përqafojë një frymë të vërtetë demokratike. Kjo kërkon vizion, kurajë politike dhe ndryshim të elitave, të cilat aktualisht nuk shihen në horizont.
Nëse Serbia dëshiron vërtet të ecë drejt Bashkimit Evropian, ajo duhet të kalojë në mënyrë të qartë nga një logjikë taktike në një angazhim substancial dhe të sinqertë, sipas parimit “finish-to-start”: të përfundojë me konfrontimin dhe hegjemoninë për të nisur një kapitull të ri bashkëpunimi dhe respekti për fqinjët dhe vlerat demokratike të BE-së.
Pa këtë ndryshim rrënjësor, Serbia do të mbetet peng i së kaluarës, ndërsa rajoni do të vuajë pasojat nga mungesa e stabilitetit, tek vonesat në demokratizim dhe pengesat serioze për zhvillim ekonomik e integrim evropian”, përfundoi doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca.
Gashi: Kjo deklaratë e Kallas është një mundësi historike
Ndërsa analisti politik, Eduard Gashi, gjithashtu vlerëson deklaratën e Kallas duke e cilësuar një kthesë retorike që nuk duhet nënvlerësuar.

Ai thotë që sinjal pozitivë i kësaj deklarate është përmendja e Kosovës si pengesë kyçe në rrugën e Serbisë drejt Brukselit.
“Deklarata e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, është një kthesë retorike që s’duhet nënvlerësuar. Kur një zyrtare e nivelit të saj flet për “vepra dhe reforma” si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kjo nuk është më thjesht një deklaratë diplomatike – është një sinjal paralajmërues.
E veçanta e kësaj deklarate është përmendja eksplicite e Kosovës si pengesë kyçe në rrugën e Serbisë drejt Brukselit. Kallas nuk flet për “normalizim marrëdhëniesh” siç jemi mësuar ta dëgjojmë për vite me radhë, por për një kusht vendimtar. Me fjalë të tjera: pa marrëveshje me Kosovën, nuk ka Evropë për Serbinë”, shpjegoi analisti.
Gashi tutje thotë që ‘përkdhelja’ e Serbisë nga ana e BE-së ka filluar të zbehet mirëpo që Kosova nuk duhet të vetëkënqet me këtë gjë.
Sipas tij, nëse Kosova do të luajë me inteligjencë dhe maturi, kjo deklaratë e Kallas është një mundësi historike, mirëpo nëse ndodhë e kundërta atëhere mund të përballemi me pasoja të tjera.
“Kjo tregon se dallimet e vjetra në BE, ku disa shtete përkëdhelnin Beogradin për interesa të veta gjeopolitike, po zbehen. Lufta në Ukrainë, afërsia e Vuçiqit me Kremlinin dhe refuzimi i sanksioneve ndaj Rusisë po e izolojnë Serbinë – dhe BE-ja nuk mund të sillet më si të ishte e verbër.
Por Kosova nuk duhet të vetëkënaqet. Kjo deklaratë nuk është mbështetje e pastër për Prishtinën, por një thirrje për të dyja palët. Kosova nuk guxon të ngecë në retorikën e viktimës pa reflektuar për dobësitë e veta: mungesa e një strategjie të qëndrueshme shtetërore, konfliktet e brendshme politike, dhe një qasje jo-koherente ndaj dialogut.
Nëse Kosova do të luajë me inteligjencë dhe maturi, kjo deklaratë e Kallas është një mundësi historike për të kërkuar më shumë, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga vetë Bashkimi Evropian: njohje formale, garanci për integritet territorial, dhe proces të barabartë në tryezë.
Në të kundërtën, nëse këtë sinjal e lexon gabim dhe vazhdon me qasje fragmentare, Kosova rrezikon të mbetet thjesht një vegël në krizën e vazhdueshme të Ballkanit, dhe Serbia, pavarësisht gjithçkaje, mund ta rrëshqasë një marrëveshje kozmetike që i hap dyert përtej Adriatikut.
BE-ja po flet më qartë – por është koha që edhe Kosova të flasë me një zë të unifikuar dhe me një strategji afatgjate”, përfundoi analisti politik, Eduard Gashi
Të tjera
Kurti e liron nga detyra Emilija Rexhepin
Kosova ofron mundësi të mira për investime
Një Përgjegjësi Islame dhe Humanitare”