Mungesa e Prokurorëve, kërcënim për efikasitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë

Kosova po përballet me mungesë të prokurorëve.

Kështu bëri të ditur u.d i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Ai ka ngritur shqetësimin se mungesa e prokurorëve në raport me numrin e gjyqtarëve, si pasojë e mos-mbështetjes buxhetore, po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe shpejtësinë e gjykimeve në vend.

Sipas Kelmendit, ky disbalancë jo vetëm që rrezikon mos përmbushjen e parimit themelor të drejtësisë për një gjykim të drejtë dhe të pavarur, por edhe shkel të drejtat e qytetarëve, të cilët me të drejtë presin një sistem më efikas të drejtësisë.

Ai ka theksuar se mungesa e prokurorëve e bën edhe më sfiduese pjesëmarrjen e tyre në seanca gjyqësore dhe ndikon në trajtimin në kohë të kallëzimeve penale dhe veprimeve procedurale. Në këtë drejtim, Kelmendi ka apeluar për më shumë mbështetje institucionale dhe financiare për të siguruar një sistem drejtësie më të qëndrueshëm dhe efikas në Kosovë.

 

Bajraktari: Duhet të shtohen mjetet buxhetore

Avokati Ardian Bajraktari thotë se mungesa e mjeteve të mjaftueshme buxhetore për sistemin prokurorial pa dyshim ndikon në punën e këtij sistemi në drejtim të luftimit të krimit.

Image

Ardian Bajraktari

“Shtimi i mjeteve buxhetore për institucionet e drejtësisë në përgjithësi e për Prokurorin e Shtetit në veçanti është shumë i rëndësishëm, dhe para së gjithash shpërfaqë vullnetin politik për mbështetje të këtyre organeve që puna e tyre të kryhet në mënyrë sa më efikase dhe efektive. .

Mungesa e mjeteve të mjaftueshme buxhetore për sistemin prokurorial pa dyshim ndikon në punën e këtij sistemi në drejtim të luftimit të krimit në përgjegjësi gjë të cilën e ka detyrë dhe përgjegjësi të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj.

Curri: Mungesa e prokurorëve çon në shtyrje të seancave dhe zvarritje të hetimeve

Kurse, Avokati Agron Curri shpjegon se mungesa e prokurorëve ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës së prokurorisë, duke krijuar mbingarkesë të lëndëve dhe duke zgjatur afatet e trajtimit të tyre.

Tutje, Curri thotë se me më pak prokurorë përballë një numri të lartë dosjesh, rritet numri i çështjeve të pazgjidhura.

Image

Agron Curri

“Pa dyshim që mungesa e numrit të mjaftueshëm të prokurorëve ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës së prokurorisë, duke krijuar mbingarkesë të lëndëve dhe duke zgjatur afatet e trajtimit të tyre. Kur prokurorët kanë një numër të lartë çështjesh për të përpunuar, cilësia e hetimeve mund të ulet, duke ndikuar në mbledhjen e provave, hartimin e akuzave dhe ndjekjen efektive të rasteve në gjykatë. Kjo sjell një sërë pasojash negative si: Vonesë në procedura – Mungesa e prokurorëve çon në shtyrje të seancave dhe zvarritje të hetimeve, duke rritur rrezikun e skadimit të afateve ligjore dhe ndoshta duke çuar në mbylljen e rasteve për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Rënie e cilësisë së hetimeve – Mbingarkesa bën që prokurorët të mos kenë kohë të mjaftueshme për të hetuar në detaje çdo rast, duke rritur mundësinë që çështjet të trajtohen në mënyrë të cekët ose të kenë dobësi procedurale. Rritja e numrit të çështjeve të pazgjidhura – Me më pak prokurorë përballë një numri të lartë dosjesh, rritet numri i çështjeve të pazgjidhura, gjë që ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, shpjegon avokati Curri.

Ai thotë se pasojat janë edhe më të mëdha e më rënda në luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo, pasi sipas tij, hetimet për korrupsion mund të bëhen selektive ose jo të thelluara.

“Në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasojat janë edhe më të rënda:

Hetimet për korrupsion mund të bëhen selektive ose jo të thelluara, duke lejuar që zyrtarët e korruptuar t’i shpëtojnë ndjekjes penale.

Krimi i organizuar përfiton nga vonesat dhe dobësitë e sistemit, duke pasur më shumë hapësirë për të ndikuar mbi dëshmitarët, për të fshehur prova ose për të manipuluar proceset gjyqësore.

Besimi i qytetarëve në institucionet ligjzbatuese ulet, duke dekurajuar denoncimet dhe bashkëpunimin me organet e drejtësisë.

Për të adresuar këtë problem, është thelbësore rritja e numrit të prokurorëve, forcimi i kapaciteteve të tyre përmes trajnimeve dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme për të garantuar një sistem prokurorial efikas dhe të pavarur”, deklaron ai