Mungesa e ushqimit në FSK/ Situatë alarmante – ky problem duhet të zgjidhet brenda Ministrisë së Mbrojtjes

Çështja e ushqimit në FSK vazhdon të jetë temë mjaft e përfolur. Është raportuar se ka mungesë stafi për përgatitjen e ushqimit për ushtarët e FSK-së.

Situata është bërë akoma më e “thellë” kur komandanti i ushtrisë, Bashkim Jashari i ka dërguar letër ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke i kërkuar zgjidhje konkrete, në të kundërtën do të detyrohen të marrin masa.

“Të nderuar, Me datën 07.10.2024 ju kam njoftuar lidhur me shqetësimet e shërbimit me ushqim për personelin e FSK dhe kam kërkuar që të merrni të gjitha masat, konform legjislacionit në fuqi, që t’i jepni një zgjidhje çështjes së ushqimit në mënyrë që FSK të vazhdojë realizimin e planifikimeve të saj. Sipas raporteve të fundit (me të cilat jeni edhe ju të njoftuar) në njësitë e FSK-së janë paraqitur shqetësime lidhur me shërbimet me ushqim, konkretisht me kuzhinierë (vonesa të ndryshme dhe ka raste kur nuk paraqiten në punë). Përveç mungesës së personelit të kuzhinave, e që ka ndikim në kualitetin e ushqimit dhe probleme të furnizimit me artikuj ushqimor, kemi edhe probleme sanitare, e kjo e fundit paraqet rrezik në helmimin dhe përhapjen e infeksioneve tek personeli i FSK- së”, thuhet mes tjerash në kërkesën e tij.

Kurse, nga ana tjetër edhe ministri i Mbrojtjes ka dalur me një saqrim rreth kësaj situate të krijuar tash e sa ditë.

Duke marrë parasysh çështjet e ngritura në lidhje me furnizimin me ushqim për pjesëtarët e FSK-së, ju njoftoj se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë këtyre ditëve kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, njofton ministri.

Quni: Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim—është një çështje shëndeti, sigurie dhe gatishmërie operacionale

Image

Anton Quni

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka thënë se kjo situatë sëhtë alarmante, që sipas tij është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë.

Ai thotë se nga kjo gjendje ushtarët përballen me një kërcënim real të helmimit nga ushqimi dhe infeksioni.

“Kjo situatë alarmante, e konfirmuar nga Komandanti Jashari në një letër drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtrinë tonë. Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim—është një çështje shëndeti, sigurie dhe gatishmërie operacionale.

Ushtarët tanë tani përballen me kërcënimin real të helmimit nga ushqimi dhe infeksionit për shkak të kushteve të përkeqësuara higjienike dhe shërbimeve ushqimore të pasigurt”, shprehet ai.

Hoxha: Këto janë probleme të brendshme të Ushtrisë dhe Ministrisë, aty duhet të zgjidhen

Image

Hafir Hoxha

Kurse, ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha, thotë se këto janë çështje të brendshme dhe vetëm aty duhet të zgjidhen.

Sipas tij, këto do të ishte mirë të mos bëhen publike sepse mund të ketë pasoja, mund të humbë besimi në ushtri e po ashtu edhe prishja e imzhit të FSK-së.

“Këto probleme për mua janë probleme të brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Sado që të jetë ky problem i vërtetë duhet të zgjidhen brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Duhet të vërtetohen faktet nëse është ndarë buxheti i mjaftuesëm për FSK, nëse është planifikuar mirë ushqimi dhe kostoja për FSK-në, mos ka pas keqpërdorime të atij buxheti për logjistikë, ushqim të FSK- së.

Pra, këto janë probleme të brendshme të Ushtrisë dhe Ministrisë, aty duhet të zgjidhen dhe këto punë e kanë një shkallë të caktuar të sekretit dhe nuk duhet të jenë këto probleme tematika publike në opinion, pasi munden të keqpërdoren politikisht ose të dëmtojnë imazhin e ushtrisë, ministrisë dhe të zbehet besimi në ushtri, respekti si dhe pritshmëria për gatishmërinë ushtarake të FSK-së në sistemin e mbrojtjes”, përfundon ai