​Murati: Nevojiten edhe 5 vota për ta përfunduar këtë sagë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se në asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet, sipas tij, që nënkryetari nga pakicat serbe i takon ekskluzivisht Listës Serbe. Para fillimit të seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, Murati tha se nevojiten edhe pesë vota për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Ministri në detyrë i Financave tha para gazetarëve se “Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese”.

Murati: Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese

“Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese, pra është në përputhje me Kushtetutën. Gjithashtu ka konstatuar që deputeti apo nënkryetari i pestë duhet të vie nga deputetët që janë përfaqësues të komunitetit jo-shumicë serbë. Në asnjë pikë, në asnjë paragraf, në asnjë fjali nuk përmendet që kjo e drejtë i takon ekskluzivisht Listës Serbe. Pra, mund të jetë njeri nga dhjetë deputetët që përfaqësojnë komunitetin serbë, jo-shumicë dhe në anën tjetër ka konstatuar që edhe mekanizmat de-bllokues, siç është rasti i tre tentativave për kandidatë, vlejnë edhe për nënkryetarin, si dhe mekanizmi tjetër de-bllokues ka konstatuar që është në rregull, që është zgjedhja përmes shortit në rast se ka refuzim apo mungesë të propozimit të kandidatëve tjerë”, deklaroi Murati.

Murati: Nevojiten edhe 5 vota për ta përfunduar këtë sagë

“120 deputetëve u takon që të bëjnë çmos, që të votojnë, të votojnë fillimisht për, kundër dhe abstenim dhe të mos shkelin Kushtetutën siç kanë bërë disa deputetë të opozitës në seancën e kaluar si dhe në anën tjetër edhe kur të votojnë, ta kenë parasysh interesin shtetëror në mënyrë që të votohet për një kandidat i cili do të merrte votat. Dhe siç e dimë herën e fundit zotëri Nenad Rashiq kishte marrë 56 vota, krejt çfarë nevojiten janë edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta përfunduar këtë sagë”, ka shtuar Murati.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.