Musk zbulon robotaksin e tij Cybercab

CEO i Tesla, Elon Musk ka zbuluar vizionin e tij për një “të ardhme emocionuese” me vetura vetëdrejtuese dhe robotë që do të ecin mes popullatës.

Këto plane dhe zbulimi i modeleve për robotaksinë e tij, erdhën në një ngjarje të mrekullueshme në Kaliforni.

Ngjarja paraqiti modele të robotaksi si dhe një Robovan, një automjet pa shofer i projektuar për të transportuar një grup më të madh njerëzish ose sendesh.

Ngjarja e zbulimit të këtyre produkteve, e cila u transmetua drejtpërdrejt për miliona shikues në platformën e tij të mediave sociale X, filloi 53 minuta me vonesë.

Por, vonesa dukej se kishte pak rëndësi për turmën që po priste mundësinë për të hipur në 50 automjetet vetë-drejtuese, shkruan CNN.

Ata vazhduan të brohorasin Musk gjatë prezantimit të tij relativisht të shkurtër 20-minutësh.

Ndryshe, Tesla ka ofruar prej kohësh atë që e quan Full Self-Driving ose FSD, me çmim aktualisht 8,000 dollarë, si opsion në veturat e saj.

Megjithatë, Tesla thotë se shoferët duhet të vazhdojnë të ulen në ulësen e shoferit, të gatshëm për të marrë kontrollin e automjetit, edhe kur janë në modalitetin FSD.

Musk tha se me FSD do të jetë në gjendje të operojë kudo ku rregullatorët shtetërorë do ta lejojnë, duke parashikuar që kjo do të ndodhë në Kaliforni dhe Teksas deri vitin e ardhshëm.

Dhe ai gjithashtu zbuloi Cybercab, një automjet pa timon, i cili është projektuar posaçërisht për të transportuar pasagjerë pa praninë e shoferit.