Musliu: Lista Serbe po e glorifikon kriminelin e luftës Nebojsha Pavkoviq

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të publikuar nga “Unioni i Grave të Listës Serbe”, e cila në rrjete sociale ka lavdëruar gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës dhe i cili ndërroi jetë sot në Beograd.

Musliu ka vlerësuar se ky akt përbën një vazhdim të glorifikimit të kriminelëve të luftës, dhe njëkohësisht nxitje të urrejtjes etnike kundër shqiptarëve të Kosovës.

“Deklarata skandaloze e ‘Unionit të Grave të Listës Serbe’ e publikuar sot ne rrjete sociale, në kujtim të kriminelit të dënuar nga Tribunali i Hagës, Nebojsha Pavkoviq i cili vdiq sot ne Beograd, është vazhdim i glorifikimit dhe lartësimit të kriminelëve të luftës. Kur një parti qe pretendon qe përfaqëson serbet e Kosovës lavdëron një gjeneral te ushtrisë serbe te dënuar për masakra, ajo ne fakt dërgon mesazhin se krimi ndaj shqiptareve duhet shpërblyer, jo dënuar”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Ai thekson se Serbia vazhdon të mos shkëputet nga nacionalizmi primitiv dhe glorifikimi i figurave me të kaluar kriminale që kanë kontribuar në ideologji gjenocidale.

Ish-komandanti i Armatës së 3-të të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq ishte i dënuar me 22 vite burgim për krime lufte në Kosovë, por që dy vitet e fundit iu hoqën për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Kërkesën për lirimin të Nebojsha Pavkoviq e bëri vet qeveria serbe.