MASHTI-i merr vendim për rishikim të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për klasat nga 1 deri 9

Nagavci dënon dhunën në shkollën ‘Pavarësia’: Asnjë rast nuk duhet të anashkalohet!

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas pamjeve që shfaqën dhunën e një mësimdhënësi ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë.

Në një deklaratë publike, Nagavci thotë se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.

Ajo thekson se shkolla duhet të jetë hapësirë e sigurt, ku mbizotëron respektim, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.

“Rasti i ndodhur dje në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ashtu si edhe raste të tjera të mëparshme, dëshmon qartë se, përveç nxënësve, dhuna prek edhe mësimdhënësit, stafin tjetër, prindërit dhe vetë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve. Asnjë formë dhune nuk ka vend në institucionet arsimore dhe asnjë rast nuk duhet të anashkalohet apo të relativizohet”, tha ajo.

Ndër të tjera, Nagavci thotë se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla. Shkollat kanë obligim që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet maksimal dhe ta raportojnë në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA).

“Si Ministri e Arsimit mbesim të përkushtuar për parandalimin e dhunës në shkolla dhe për forcimin e mekanizmave që promovojnë komunikimin, menaxhimin e konflikteve dhe mbrojtjen e mirëqenies së të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor”, shkruan ministrja në detyrë.

Ndërkohë, mësimdhënësi është ndaluar për 48 orë.