Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim të hapjes në Kuvendin e partisë, ku ka theksuar se ai vet ka thirrur Kuvendin pa pritur “zhurma” dhe ultimatume të jashtme. Abdixhiku ka deklaruar se ky Kuvend është një moment për ballafaqim me realitetin pas rezultatit të dobët zgjedhor të 28 dhjetorit.
“Ky Kuvend nuk më është mbledhur, e kam thirrur dhe mbledhur vet, nuk kam pritur të bëhet zhurma dhe as të jepen ultimatume,” tha Abdixhiku, duke theksuar se është ai që ka marrë përgjegjësinë për këtë hap dhe ka kërkuar që Kuvendi të ketë një rol të qartë vendimmarrës.
Ai ka shprehur se akti i parë i tij moral është ballafaqimi me rezultatet dhe pritjet, si dhe me përgjegjësitë ndaj anëtarësisë dhe partisë, duke thënë: “Akti i parë i këtij obligimi moral është ballafaqimi, me rezultatet, me pritjet, me anëtarësinë, me vetveten, mbi të gjitha mbi të ardhmen tonë.”
Abdixhiku ka pranuar përgjegjësinë për dështimin zgjedhor dhe ka theksuar se vendimi për të ardhmen e partisë do të vijë vetëm nga Kuvendi, duke i dhënë atij autoritetin të vendosë për fatin e LDK-së.
“Më lejoni t’i heq të gjitha dyshimet, dhe të them po, se përgjegjësia është e imja. Dhe se po, vendimmarrja do t’u kthehet juve. Nuk lejoj askush tjetër të vendos për fatin e LDK-së, përveç Kuvendit,” ka theksuar ai, duke bërë të qartë se Kuvendi ka autoritetin për të vendosur për të ardhmen e partisë.
“Për mua dhe për ju ajo natë nuk ishte vetëm një rezultat politik, ishte një pasqyrë ku pashë mundin, sakrificën e shumë njerëzve të mirë të pesë vjetëve të fundit teksa shembeshin para syve tonë dhe njëkohësisht pashë se sa vështirë është të mbash mbi supe pritjet e një partie që ka histori, plagë e mbi të gjitha që ka shpresë.”
Ndërkohë, fjalimi i Abdixhikut po ndiqej nga figura të rëndësishme të partisë, përfshirë ish-kryeministrin Avdullah Hoti, i cili ishte ulur në rreshtin e parë. Hoti, i cili pak ditë më parë shpalli kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së, do të jetë një nga ata që do të marrë pjesë në procesin e votëbesimit në Kuvendin e partisë.
“Përgjegjësia nuk ndahet me askënd,” ka përfunduar Abdixhiku, duke paralajmëruar se Kuvendi do të ketë një debat të hapur për të ardhmen e LDK-së dhe për rolin e tij si lider i partisë.



Të tjera
Ministri gjerman i Mbrojtjes: Nuk ka shenja se Amerika do të largohet nga NATO
Abdixhiku godet analistët, i quan “zhurmaxhinjtë e kurdisur”
Mbesa e heroit Hakif Zejnullahu me kërkesë ndaj Kurtit: Bëni diçka për çlirimtarët në Hagë