Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosë ndalim për përdorimin e mediave sociale nga personat nën moshën 16-vjeçare, si pjesë e një pakete të re masash për mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Sipas Starmerit, kufizimet do të përfshijnë platforma të njohura si Snapchat, TikTok dhe Instagram, si dhe disa platforma të lojërave online dhe transmetimeve të drejtpërdrejta që mundësojnë komunikimin e të huajve me fëmijët.
“Është e qartë për mua se një ndalim i plotë është zgjedhja e duhur”, ka deklaruar ai, duke shtuar se masat synojnë t’u kthejnë fëmijëve fëmijërinë e tyre dhe të rrisin sigurinë, mirëqenien dhe kohën e tyre jashtë botës virtuale.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se do të ndjekë një model të ngjashëm me atë të Australisë, e cila miratoi një ndalim të ngjashëm vitin e kaluar. Rregulloret e reja pritet të miratohen deri në fund të vitit, ndërsa zbatimi i plotë i tyre pritet të nisë në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ndalimi do të përfshijë gjithashtu platforma si YouTube, Facebook dhe X, ndërsa aplikacionet e mesazheve, përfshirë WhatsApp dhe Signal, nuk do të preken nga këto masa.
Vitet e fundit, Britania e Madhe ka ashpërsuar qasjen ndaj kompanive të teknologjisë duke kërkuar verifikim të moshës dhe masa shtesë për mbrojtjen e të miturve. Sipas qeverisë, vendimi i ri vjen mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e përdorimit të tepruar të internetit dhe mediave sociale në shëndetin mendor të fëmijëve.



Të tjera
De Jong krenar me paraqitjen ndaj Japonisë, por e vlerëson Spanjën si favorite për Kupën e Botës
Autogoli që i kushtoi jetën Escobarit: Tragjedia që tronditi botën pas Botërorit 1994
Ambasada e Kosovës organizon turne të futbollit për nder të Çlirimit